Osmani: E rëndësishme që liberalizimi i vizave të jetë në agjendë
BKT
Foto: Nga Zyra e Presidencës
Lajme

Osmani: E rëndësishme që liberalizimi i vizave të jetë në agjendë

Muharrem Miftari/RTKlive

(E plotësuar) Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ministrin e Jashtëm të Republikës Çeke, Jan Lipavský.

Presidentja Osmani ka theksuar se Çekia është aleate e rëndësishme e vendit tonë, me të cilën ndajmë vlera themelore demokratike dhe përkushtimin për paqe, siguri dhe të ardhmen e përbashkët në familjen euroatlantike.

Fokusi kryesor i takimit ndërmjet presidentes Osmani dhe ministrit Lipavský ishte çështja e liberalizimit të vizave. Në vazhdë të takimeve që ka pasur presidentja Osmani me lidershipin çek në Pragë, presidentja Osmani ka falënderuar ministrin Lipavský për angazhimin konstruktiv të Çekisë për t’i dhënë fund këtij procesi përgjatë Presidencës çeke.

Presidentja Osmani ka përsëritur qëndrimin se vonesa e liberalizimit të vizave për popullin e Kosovës është një padrejtësi e madhe. Ajo ka theksuar se: “Është jashtëzakonisht e rëndësishme që liberalizimi i vizave të jetë në agjendë, prandaj llogarisim në mbështetjen çeke në këtë aspekt si bartëse e Presidencës së Këshillit të BE-së”, ka theksuar presidentja Osmani.

Krahas temës së liberalizimit të vizave, presidentja Osmani ka folur edhe për nevojën e avancimit të rrugës evropiane për vendin tonë. Ajo ka theksuar bashkërendimin e plotë të politikave të jashtme dhe të sigurisë së Kosovës me ato të Bashkimit Evropian si dëshmi e përkushtimit të institucioneve dhe popullit të Kosovës për integrim evropian. Në këtë drejtim, presidentja Osmani ka përmendur që Kosova do të dorëzojë këtë vit aplikimin për statusin e vendit kandidat.

Në lidhje me dialogun me Serbinë, presidentja Osmani ka theksuar se Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive dhe se zgjidhja e vetme që i kontribuon paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm është një proces i përqendruar në njohje të ndërsjellë.

(E plotësuar) Lipavský: Liberalizimi i vizave, proces teknik dhe vendim politik

Liberalizimi i vizave për të kuptuar drejt është një proces që përbëhet nga aspektet teknike dhe vendimet politike.

"Pritjet e mia janë të larta dhe kam kërkuar nga ministri i Jashtëm i Holandës dhe ai theksoi aspektin teknik dhe shpresoj se kemi lëvizje dhe pas kësaj shikojmë aspektin teknik", theksoi kryediplomati çek, Lipavský.

Nga ana e tij, zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se e ardhmja jonë varet nga kjo dhe jo Presidenca Çeke, duke shtuar se të gjitha çështjet janë adresuar te shtetet skeptike.

“Dhe tani Ministria e Punëve të Jashtme ka vizituar të gjitha vendet skeptike dhe ka adresuar çështjet dhe kemi vendime  qeveritare dhe Ministria e Drejtësisë ka adresuar të gjitha çështjet lidhur me sundimin e ligjit etj.”, tha, mes tjerash, Bislimi.

Ndërkaq lidhur me pyetjen se disa ojq në Serbi kanë punuar për mënyrën e arritjes së zgjidhjes së çështjes mes Kosovës e Serbisë, veçmas atë për Asociacionin, zëvendëskryeministri Bislimi tha se çfarë punojnë ojq-të në Serbi nuk mund të thotë asgjë, por i vlerësoi si të pavlera.

(E plotësuar) Bislimi:Kosova më 13 tetor do të jetë në agjendë për liberalizimin e vizave

Kosova do të jetë në agjendë më 13 tetor për liberalizimin e vizave  dhe besojmë se Republika Çeke do të shtyjë përpara agjendën për këtë çështje.

Bislimi, duke falënderuar për vizitën   kryediplomatin çek, tha se qytetarët e Kosovës kanë parasysh faktin se “ju keni theksuar se BE duhet të bëjë reforma etike për Ballkanin Perëndimor për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit”.

Ai më tej shtoi se procesi liberalizimit ka vlerë edhe në aspektin ekonomik.

“Do të jemi në vazhdimësi për të shtyrë këtë proces dhe që qeveria jonë është përfshirë që në fillim në bisedime me Serbinë që do të ndikojë në normalizimin  e plotë mes të dyja vendeve, ku do të jemi konstruktiv në dialog me mbështetje nga BE-ja”, tha mes tjerash Bislimi.

Tutje ai theksoi se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar në bashkëpunime regjionale për të forcuar këtë bashkëpunim me Republikën Çeke, ku do të ndikojë në zhvillimin ekonomik.

(E plotësuar) Lipavský: Dialogu Kosovë-Serbi qenësor për procesin e integrimit evropian

Kryediplomati çek, Jan Lipavský, pas takimit me zëvendëskryeministrin e parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, në një konferencë për medie shprehu gatishmërinë për të ndihmuar Kosovën në rrugëtimin e saj në integrimet evropiane.

Ai konsideroi si shenjë të mirë marrëdhëniet e mira, ku edhe shoqërohet me anëtarët e Parlamentit Çek dhe mesazhi i tij  është që vendi ynë mund të llogarisë te ata në ndihmë në sundimin e ligjit.

"Kjo është vizita ime e parë kur Çekia ka presidencën e BE-së dhe Ballkani Perëndimor dhe Kosova ka prioritet regjional  dhe që Kosova duhet të bëjë progres sidomos në liberalizimin e vizave. Duhet të bëhet punë dhe shpresojmë që të gjejmë përkrahje politike dhe  një vendim pozitiv për këtë çështje. Përpos zgjerimit të BE-së kemi biseduar edhe për dialogun për normalizimin e Kosovës e Serbisë, që është qenësor  për procesin e integrimit evropian. Pa këtë sukses, nuk ka sukses në afrimin me BE-në" tha Lipavsky . 

Tutje ai shprehu përkrahjen e tij dhe të BE-së për të normalizuar marrëdhëniet mes Kosovës e Serbisë.

Në fund ai përmendi edhe çështjen e energjisë, që është një nga çështjet, siç tha ai,  tejet e rënduar në BE dhe premtoi se gjatë Presidencës Çeke do të diskutohet edhe për Kosovën, që të ndihmohet në këtë drejtim dhe shtoi se Kosova duhet të marrë pjesë në komunitetin e parë që do të ndodhë në Pragë.

(E plotësuar) Ministri i jashtëm çek, Jan Lipavsky, sot viziton Kosovën

Afet Bela / RTKlive

Ministri i Punëve të Jashtme të Çekisë, Jan Lipavský, sot do të vizitojë Kosovën.

Kryediplomati çek do të pritet në takim nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu.

Edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pret në takim Ministrin e Jashtëm të Republikës së Çekisë, Jan Lipavský.

Edhe zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, sot pret në takim Ministrin e Jashtëm të Republikës së Çekisë, Jan Lipavskýy, raporton RTKlive.

Pas takimit, zëvendëskryeministri Bislimi dhe Ministri i Jashtëm Lipavský, në orën 11:00, do të mbajnë konferencë të përbashkët për media.

Para se të vizitojë Kosovën, Lipavský 
ka thënë se çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën do të rihapet gjatë presidencës çeke të Bashkimit Evropian.

Kjo çështje do të diskutohet gjatë kësaj vjeshte, kur Komisioni Evropian ta finalizojë versionin e përditësuar të raportit për atë se sa Kosova është e përgatitur për këtë çështje.

"Kosova, të cilën do ta vizitoj, është vendi i fundit i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e së cilës ende kanë nevojë për viza për të udhëtuar në BE. Megjithatë, qëllimi i Republikës Çeke dhe BE-së është integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Presidenca jonë është një mundësi për ta shtyrë të gjithë procesin e integrimit përpara', tha Lipavsky për agjencinë çeke të lajmeve, raporton Euroactiv.

Sipas tij nëse raporti i Komisionit Evropian është pozitiv, atëherë çështja e liberalizimit të vizave do të shqyrtohet nga vendet e BE-së gjatë kësaj vjeshte.


MË SHUME NGA Lajme