Fenomeni i gjakmarrjes, në TIFF nëpërmjet regjisores sllovene Marija Zidar
Kulturë

Fenomeni i gjakmarrjes, në TIFF nëpërmjet regjisores sllovene Marija Zidar

ATSH

Pasditja e TIFF-it nisi me “Reconciliation” nga Marija Zidar. Një dokumentar, bashkëprodhim mes Sllovenisë, Serbisë, Malit të Zi e Kosovës, që tregon historinë e një vajze 18-vjeçare e cila vritet në një histori gjakmarrjeje në malësinë shqiptare.

Babai i saj i pikëlluar vihet nën presionin e një prifti dhe një shoqate, që jo vetëm ta falë vrasësin, por edhe të pajtohet me të, siç e kërkon Kanuni. Dokumentari është një rrëfim prekës dhe i thellë, i një shoqërie patriarkale të kapur midis të kaluarës dhe një të tashmeje të pasigurt.

Pas “Reconciliation”, në Liceun Artistik, është shfaqur “Purgatory ’90” nga Ismet Sijarina, edhe ky film dokumentar, por që konkuron në kategorinë “MADE In ALBANIAn”. Ismet Sijarina është regjisor, skenarist si edhe profesor në Universitetin e Prishtinës.

Ndërsa në kategorinë PerspecTIFF, ishte radha e një filmi thriller, “Our father, our devil” nga Ellie Foumbi. Filmi, një bashkëprodhim amerikano-francez tregon historinë e një refugjateje afrikane, ekzistenca e paqtë e të cilës tronditet nga hyrja në skenë e një prifti katolik, që rezulton të jetë edhe vrasësi i prindërve të saj.

Filmat e shkurtër që nisën të shfaqen pas orës 21, në Millennium, ishin të kategorisë LIVE ACTION dhe do të mund të kualifikohen për Oscars dhe European Film Awards.


A.R Katana
Kosovo Telecom
Golden Eagle