Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore, hyrja falas në këto site
Kulturë

Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore, hyrja falas në këto site

ATSH

Ministria e Kulturës me Urdhërin Nr. 348, dt. 28.07.2003, ka shpallur sot Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore.

Në qendër të kësaj dite, qëndron përkushtimi dhe sakrifica e të gjithë atyre që kanë kontribuar në formimin dhe studimin e kësaj trashëgimie, e po aq edhe vepra dhe jeta e atyre që janë sakrifikuar drejtpërsëdrejti për të.

Në shpalljen e kësaj Dite Kombëtare si të Trashëgimisë Kulturore ka ndikuar edhe akti sublim i ushtarakut shqiptar Kamber Bënja, i cili në vitin 1916 mbrojti pasuritë e Apollonisë nga vjedhja.

Kamber Bënja ishte një veprimtar i lëvizjes atdhetare, i cili lindi në Bënjë të Këlcyrës. Mësimet e para i mori në Përmet dhe i vijoi në Korçë, Janinë e Selanik. Me Shpalljen e Pavarësisë u vu në shërbim të Qeverisë Kombëtare të Vlorës si oficer i karrierës.

Kamber Bënja mori komandën e batalionit shqiptar duke iu kundërvënë me vendosmëri pushtuesve austro-hungarezë që kërkonin të grabisnin pasuritë kulturore të vendit dhe të dërgonin në Vjenë skulptura antike të gjetura gjatë gërmimeve.

Për këtë arsye, Kamber Bënja bashkë me dy oficerë të tjerë, Bexhet Manastirliun dhe Abaz Taushanin, iu dhanë gjyqit ushtarak që e dënoi me vdekje për “tradhti të lartë”. Major Kamber Bënja, është shpallur Dëshmor i Atdheut.

Festimi i kësaj dite parashikon edhe detyrimin e të gjitha institucioneve kulturore dhe ato të trashëgimisë, të organizojnë aktivitete të ndryshme kulturore.

Në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë, sot të gjitha DRTK-të kanë njoftuar se muzeumet, parqet arkeologjike, e objekte të tjera të trashëgimisë kulturore do të mund të vizitohen pa pagesë.


A.R Katana
Kosovo Telecom
Golden Eagle