Hoti i pakënaqur me opozitarizmin e LDK-së, paralajmëron rikthim|Video
Jeton Musliu/RTKlive
(Plotësuar) Ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në intervistë për “RTK Prime”, flet për disa tema. Ndër to janë dialogu social, mundësia që qytetarët të tërheqin një sasi të parave nga Trusti Pensional, retorika për luftë e kryeministrit Kurti, politika e opozitës, bisedimet me Serbinë,e çështje të tjera.
Duke folur për LDK-në në opozitë, deputeti Avdullah Hoti tha se kjo parti, mbron të njëjtat vlera e parime që janë në statut.
“Jemi duke rishkruar programin qeverisës mbi parimet fondamentale mbi të cilat është themeluar LDK”, thotë Hoti.
Sipas tij, drejtuesit e rinj janë duke e hapur partinë.
“Për shembull, kryetari paraprak i LDK-së e ka sjellë në parti, Lumir Abdixhikun. Prej shoqërisë civile në parti. Abdixhiku po i sjell disa të tjerë në parti. Ky është proces shumë normal”, thotë ai, ndonëse e pranoi se edhe vetë është i pakënaqur me opozitarizimin që po bën LDK-ja.
“Nuk jam i kënaqur me mënyrën e të bërit të opozitës. Për shkak se mund të jemi shumë më aktiv në opozitëbërje”.
Por, Hoti tha se opozitarizmin kërkon që ta forcojë, vetëm me mjete demokratike.
“Jo gaz, jo sharje, jo fyerje, as shpallje si armiq, por të zëshëm në mbrojtje të kauzave”, thotë ish kryeministri.
“Sigurisht se unë edhe në forumet e partisë them se si parti, duhet të jemi shumë më aktiv”.
Megjithatë, Hoti tha se tani LDK-ja po strukturohet me disa departamente që dalin në konferenca për media, ndonëse e sheh të nevojshme që të fuqizohet opozitë bërja brenda Kuvendit.
“Kemi shumë personalitete që janë shumë kompetent në fusha të ndryshme e që mund të japin shumë si opozitë bërje në Kuvend, e të ndikojmë tek shërbimet e qytetarëve”.
Hoti: Deklaratat për luftë të Kurtit, mungesë e rezonit shtetëror
Mes të tjerash, në këtë intervistë, Hoti foli edhe për deklarimet e kryeministrit Albin Kurti, se ka rrezik për konflikt në këtë pjesë në Ballkanit Perëndimor.
“Kurti, me deklarata për luftë, po tregon mungesë të rezonit shtetëror dhe maturisë që duhet të ketë një person në pozitën e kryeministrit”, thotë Hoti, sipas të cilit:-“ Edhe gjatë viteve të 90-ta kur kemi qenë të sulmuar, mesazhet e bartësve të institucioneve tona kanë qenë për paqe e qetësi”.
“Le të themi se ajo që thotë Kurti është e qëndrueshme edhe pse është tërësisht e paqëndrueshme. Por të themi se është e qëndrueshme. A duhet një kryeministër që të thotë këtë gjë e të promovojë panik tek qytetarët?”, pyeti Hoti, duke dhënë më pas përgjigje-“Jo, ai bën përgatitjet e nevojshme”.
Ish kryeministri Avdullah Hoti deklaroi se mënyra se si kryeministri Kurti flet në publik çdo ditë, se Kosova po rrezikohet, nuk ka fare kuptim.
“Mund të ketë tendencë për konflikt, por luftë në Ballkan nuk ka më. Shqipëria, Maqedonia e Veriut e Mali i Zi janë në NATO. Në Kosovë e Bosnje është NATO e vendosur. Serbia është e rrethuar në të gjitha anët nga anëtarë të NATO-s”, përshkroi Hoti.
“Çfarë lufte mund të bëjë Serbia. Mund të ketë ndonjë tendencë për trazira duke përdorur komunitetin serb këtu, edhe pse nuk pres, por le të themi se ekziston ajo mundësi. Por nuk ka rrezik për luftë”.
Hoti: Marrëveshjet i shante LVV , tani i zbaton, këta janë mashtrues
Në këtë intervistë, ish kryeministri Hoti foli edhe për procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Për qeverinë aktuale, Hoti tha se janë mashtrues.
“Këta janë mashtrues tipik në politikë bërje. Këtë marrëveshjen për energjinë, nëse i shihnin deklaratat e tyre kur është arritur para disa viteve, e kanë luftuar”, rikujtoi Hoti, sipas të cilit: -“Tani kanë bërë një aneks shtesë dhe trumbetojnë se tani marrëveshja është e mirë, e fuqizon shtetësinë e Kosovës”.

Hoti që tani është deputet i LDK-së, deklaron se kështu është edhe për targat e veturave, marrëveshja për të cilën ka qenë 2016-2021.
“Edhe në qeverinë paraprake është nënshkruar udhëzimi administrativ që ndalon lëshimin e targave nga shtatori 2021”, tha Hoti, udhëzim që ishte nënshkruar nga ish ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu.
“Janë marrëveshje që janë bërë në koordinim me parterët tanë ndërkombëtarë e të cilët këta (Qeveria aktuale v.j) i kanë luftuar e të cilat tani ata po i zbatojnë”, thotë Avdullah Hoti në “RTK Prime”.
I pyetur se përse nuk janë realizuar më parë, Hoti u shpreh se disa janë zbatuar e disa nuk kanë mbërritur të zbatohen plotësisht.
“Por, argumenti im këtu është se këta janë mashtrues tipik. Shahen marrëveshjet sikur janë të dëmshme, e kur vijnë në qeveri, pikë e presje, ato bëhen të përshtatshme”.
Hoti: Tani nuk kemi diplomaci, ambasadat tona janë shkret
Një temë tjetër që u prek në këtë intervistë të Avdullah Hotit dhënë në “RTK Prime”, është edhe politika e jashtme e Kosovës.
“Ka gafa të llojllojshme”, tha ai, kur u pyet se si e shikon politikan e jashtme të Kosovës nën qeverinë e LVV-së.
“Politikë të jashtme ne nuk kemi tani për tani. As diplomaci nuk kemi”, tha Hoti.
“Shkoni sot në ambasada, ato janë lënë shkret”.
Sipas Hotit, një herë është vonuar emërimi i ambasadorëve, madje edhe në vendet e Quint-it.
“Ambasadorët tani nuk kanë as staf esencial. Ambasadori ka një shofer. Vonohen shërbimet konsullore për inate politike”, thotë Hoti.
“Nuk ka atashe ushtarak. Deri në atë situatë ka shkuar gjendja sa zyrtarët e MPJ mbajnë protestë para ministrisë”, rikujton ai, një protestë të disa ditëve më parë të organizuar nga Sindikata që vepron brenda MPJ-së.
“Kosova sot nuk ka politikë të jashtme. Vetëm falë partnerëve tanë ndërkombëtarë, ata flasin në forume, që nga OKB-ja e vende të tjera, se përndryshe zëri ynë nuk është askund”.
A tha Hoti sa ishte në Qeveri se grevistëve mund t’u ndalen pagat?
Në këtë intervistë, ish kryeministri Hoti u pyet edhe për deklarimet e tij sa ishte në qeveri, se ka mundësi që mësimdhënësve apo të punësuarve në administratë, t’u ndalen pagat, nëse janë në grevë.
Hoti tha se një gjë të tillë e ka thënë, pro asnjëherë, nuk i ka shkuar askujt në mendje të ndërmarrë një veprim ë tillë.
“Asnjëherë nuk është marrë ai veprim dhe as që i ka shkuar kujt në mendje të ndërmarrë atë veprim”, thotë ish kryeministri Hoti.
“Këta (Qeveria v.j) kërkojnë çfarëdo arsye për të mbështetur veprimet që i bëjnë vetë”, thotë ai.
“Tani këta i kanë kërkuar listat e pagave, por presioni sindikal e ka bërë të pamundur që të ndalen pagat”, thotë Hoti në këtë intervistë.
“Atëherë është përmendur, por askujt në atë qeveri nuk i ka shkuar mendja të veprojë në një mënyrë të tillë”.
LDK tani është pro tërheqjes së një sasie mjetesh nga Trusti
Duke folur për krizën ekonomike në vend, ish kryeministri Avdullah Hoti, u ndal tek mundësia që qytetarët të tërheqin edhe një sasi të mjeteve financiare nga Trusti Pensional.
Ai tha se tërheqja e mjeteve nga Trusi nuk është zgjidhje e problemit, sepse kriza e tanishme nuk është e njëhershme sikurse në kohën e pandemisë.
“Atëherë është dashur të izolohen njerëzit e s’kanë pasur paga dhe duhej të ndihmoheshin”, thotë Hoti në “RTK Prime”.
“Kriza e tanishme është e vazhdueshme, inflacioni po vazhdon, rënia e të ardhurave po vazhdon. Prandaj kërkohen masa të vazhdueshme”.
Sipas ish ministrit të Financave, në fillim, LDK, parti në të cilën bën pjesë, kishte kundërshtuar tërheqjen e parave nga Trusti Pensional e kjo ka ndodhur në fillim të këtij viti.
“Atëherë kemi propozuar listë të masave për t’u dalë në ndihmë qytetarëve. Por asnjë masë nuk është marrë nga qeveria”, thotë Hoti.
Në këtë rast, ai thotë se qeveria nuk ka bërë lëvizje të normave tatimore, pagave, akcizës, pensioneve etj.
“Këto që po bën qeveria, janë shtesa të njëhershme, por jo ndryshime e mbështetje e vazhdueshme”.
Ish kryeministri i vendit deklaron se duke parë gjendjen, kjo situatë e ka shtyrë LDK-në që tani t’i japë mbështetje idesë edhe për një tërheqje të parave nga Trusti.
“Nuk ka asnjë masë tjetër që qytetarët të përballojnë krizën”.
Ai rikujton se një herë është anuluar iniciativa e parë, por tani ka ardhur në Kuvend si kërkesë e qytetarëve për t’u shqyrtuar në procedurat e Kuvendit.
“Besoj se duhet të konsiderohet dhe duhet të ulemi e të bisedojmë”.
Hoti deklaron se nuk e di nëse 30% është zgjidhja, por i ka kërkuar me kohë, siç është vepruar në vitin 2020, kur është ndërmarrë kjo masë.
“I kam kërkuar Trustit dhe Ministrisë së Financave që të bëjnë analizat e nevojshme për nivelin e tërheqjes, që të mos ndikohen shumë negativisht, planet e investimeve të Trustit”.

Zbatimi i Ligjit të Pagave, vështirë të ndodhë edhe në vitin 2023
Ish kryeministri Avdullah Hoti deklaron në “RTK Prime” se dialogu social, ka munguar në tërësi nga ana e qeverisë.
Ai thotë se mbi të gjitha, duhet të gjendet zgjidhja që nxënësit të kthehen në shkollë.
“Ka pajtueshmëri që kërkesat e sindikatës janë legjitime, për shkak të gjendjes ekonomike dhe për shkak se Ligji i Pagave është vonuar tepër shumë”, thotë Hoti në “RTK Prime”.
Sipas tij, ky projektligj është vonuar shumë sepse në verën e vitit 2020, Kushtetuesja e ka dhënë verdiktin e saj.
“E në vitin 2021, është punuar, por deri më tash nuk ka ardhur në diskutim”, thotë Hoti në këtë intervistë.
“Le të themi se ligji vjen në fund të tetorit, por ai nuk ka gjasa të miratohet brenda këtij viti”, rikujton Hoti, që dikur ishte dhe ministër i Financave, në qeverinë e drejtuar nga Isa Mustafa.
“Por edhe nëse vjen ky projektligj, është e pamundur të buxhetohet për vitin 2023, sepse buxheti duhet të dorëzohet në Kuvend, deri me 30 tetor”.
Pra në këtë rast, sipas ish kryeministrit Hoti, është gati e pamundur të rishikohen të gjitha tabelat.
“Kërkesa e sindikatës për 100 euro shtesë është plotësisht e realizueshme sepse gjendja financiare në buxhetin e shtetit është jashtëzakonisht e mirë”.
Për këtë ai jep disa arsye. “ Ka pasur rritje ekonomike e gjithashtu ka bilanc të parave të pashfrytëzuara”.
Hoti deklaron se kostoja mujore për realizimin e kërkesës së SBASHK-ut për 100 euro shtesë, është 2.7 ose 2.9 milion euro.
“Është e papranueshme konfrontimi i qeverisë me sindikatat. Ka munguar totalisht dialogu social”.























