Këshilli i Prindërve gati të shpreh me veprime revoltën ndaj grevës
BKT
Lajme

Këshilli i Prindërve gati të shpreh me veprime revoltën ndaj grevës

V.Thaçi /RTKlive

Këshilli i Prindërve i Kosovës, para disa orëve doli me vendim duke paralajmëruar se do të nisin një masë ekstreme, nëse vendimi për ndërprerjen e grevës nuk merret dhe mësimi nuk fillon deri më 3 tetor.

Salije Gajtani-Osmankaq nga Këshilli i Prindërve të Kosovës, në lidhje të drejtpërdrejtë për emisionin “Lajmet e Fundit” në RTK, deklaroi se sistemi arsimor sot është para kolapsit.

“Ne e dimë se si erdhëm deri te kjo, por nuk e dimë sesi do të dalim nga kjo situatë”, tha Gajtani- Osmankaq.

Sipas saj, prindërit i ka revoltuar kjo situatë, dhe ata si këshill, kanë pasur presion nga prindërit që i shohin fëmijët duke qëndruar në shtëpi dhe pa iu ofruar e drejta bazike kushtetuese që është arsimimi.

Ajo shtoi se për këtë arsye, Këshilli i Prindërve është treguar këmbëngulës në qëndrimin e vet  dhe kanë dashur të përçojnë mesazhin se janë momentet e fundit kur kjo situatë duhet të ndalohet.

Gajtani-Osmankaq deklaroi duke supozuar se  vendimi i Këshillit të Prindërve për çregjistrim masiv nga shkollat publike të nxënësve, ka ndikuar te SBASHK-u që të shqyrtojë pezullimin e grevës.

“Prindërit janë shumë gati të shprehin revoltën e tyre në forma të ndryshme, duke përfshirë edhe protestat edhe para SBASHK-ut edhe para qeverisë, dhe para të gjitha palëve”, tha ajo.

Gajtani-Osmankaq tha se institucionet kanë qenë gati përjashtuese sa u përket prindërve.

“Ajo se çfarë ne do të bëjmë në të ardhmen është se do të fuqizojmë Këshillin e Prindërve sepse kjo situatë na i ka hapur sytë dhe na ka dëshmuar se Kosova ka nevojë për një Këshill të Prindërve të institucionalizuar”, tha ajo.

Ndërsa sa i përket plotësimit të orëve të humbura të mësimit, Gajtani-Osmankaq  tha se ka alternativa dhe se plani duhet të fuzionohet ose edhe të mbahen orët shtesë gjatë ditëve të javës.


MË SHUME NGA Lajme