Në Paris Ahmeti takoi ambasadorin Penone, flasin për aplikimin në KiE
Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive
Në kryeqytetin francez, zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti së bashku me Ambasadorin Mehdi Halimi dhe këshilltarin e jashtëm Kushtrim Istrefi takuan Drejtorin e Departamentit për OKB, Organizata Ndërkombëtare, të Drejtat e Njeriut dhe Frankofoni, në kuadër të Ministrisë për Evropë dhe Punë të Jashtme të Francës, Ambasadorin Fabien Penone.
Sipas njoftimit nga MPJD-ja në këtë takim u diskutua mbi strategjinë e Republikës së Kosovës në dimensionin multilateral dhe hapësirat ku mund të ketë bashkëpunim mes të dyja vendeve.
Po ashtu, siç bëhet e ditur diskutimi vazhdoi për aplikimin e Republikës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe rëndësinë që ka kjo organizatë për të drejtat e të gjitha komuniteteve dhe secilit qytetar të vendit.
“Palët u pajtuan që të vazhdojnë komunikimin dhe koordinimin për arritjen e këtyre synimeve të përbashkëta”, thuhet në njoftim.























