Kelmendi pret në takim Gjyqtarin Blake dhe Prokuroren Lindley
Lajme

Kelmendi pret në takim Gjyqtarin Blake dhe Prokuroren Lindley

V.Thaçi /RTKlive

Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, priti në takim gjyqtarin britanik, Sir Nicholas Blake​ dhe Prokuroren Claire Lindley, të cilët shoqëroheshin nga përfaqësuesi i Projektit “Iniciativa për Sundimin e Ligjit në Ballkanin Perëndimor (WBROLI)”, i cili financohet nga Fondi për Konflikt, Stabilitet dhe Siguri në Mbretërinë e Bashkuar (CSSF) dhe implementohet nga Chemonics International.

Shkëmbimi i përvojave profesionale lidhur me hetimin dhe luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar, krimeve financiare, ngrirjen dhe sekuestrimin e pasurive të fituara në mënyrë të kundërligjshme, si dhe gjetja e formave të bashkëpunimit të ndërsjellë, ishin disa nga çështjet thelbësore të bisedës ndërmjet U.D. Kryeprokurorit Kelmendi me Gjyqtarin Blake​ dhe Prokuroren Lindley, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit U.D. Kryeprokurorit të Shtetit,  Kelmendi, shprehu falënderimin dhe konsideratën e tij të lartë për mbështetjen dhe ndihmën sistematike të institucioneve dhe popullit britanik dhënë për sistemin prokurorial në funksion të forcimit të sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.

Nga ana tjetër, gjyqtari Sir Nicholas Blake​ dhe prokurorja Claire Lindley, në ketë takim kanë theksuar gatishmërinë e tyre që përmes projekteve të japin kontributin e tyre, në mënyrë që të fuqizohet edhe më tej sistemi prokurorial në Republikën e Kosovës.

Po ashtu bashkëbiseduesit janë pajtuar që të thellohet edhe më shumë bashkëpunimi dhe ndërveprimi i përbashkët sa i përket ofrimit të ndihmës dhe shkëmbimit të përvojave profesionale për institucionin e Prokurorit të Shtetit, thuhet tutje në njoftim.


MË SHUME NGA Lajme