Kurti: Ejup Statovci - intelektual i angazhuar dhe akademik i rezistencës
Foto: Qeveria e Kosovës
Lajme

Kurti: Ejup Statovci - intelektual i angazhuar dhe akademik i rezistencës

Fadil Sertolli / RTKlive

Veprimtaria shkencore e publike e profesorit dhe rektorit të Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovci, u shfaq sonte në dokumentarin kushtuar jetës dhe veprës së tij.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vlerësoi kontributin e rektorit Statovci, si një ndër ekspertët që hartuan Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990 dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës më 7 shtator në Kaçanik.

“Mes ekspertëve e juristëve që hartuan këto dy dokumente themeltare në historinë institucionale të Kosovës, ishte edhe një profesor i të drejtës civile, atë kohë 50 vjeçar. Emri i tij ishte Ejup Statovci”, tha kryeministri.

“Deri në moshën 51 vjeçare, jeta e Ejup Statovcit ishte ajo e një profesori të përkushtuar dhe e një shkencëtari prodhimtar. Ajo do të mund të vazhdonte me këtë rrjedhë, sikur më 1991, kur Serbia i dëboi shqiptarët nga Universiteti i Prishtinës, të mos vinte në krye të Universitetit të Prishtinës si rektor. Në historinë e Universitetit tonë, ai është rektori i 10-të në radhë, por Ejup Statovci është rektori më jetëgjatë, që e drejtoi Universitetin e Prishtinës, nga 26 nëntori i vitit 1991 dhe deri më 31 dhjetor 1997”, tha kryeministri Kurti.

"Profesor Ejup Statovci i qëndroi besnik formimit të tij kulturor, duke i përkthyer mendimet dhe bindjet e tij nga dije dhe besim, në guxim për të folur dhe vullnet për të vepruar. Ai i kuptoi saktë dhe drejt detyrat që ia jepte pozita e rektorit të Universitetit të Prishtinës dhe rolin që ia kërkoi koha në shoqëri", tha kryeministri Kurti.

Ai shtoi se profesor Ejup Statovci u bë pjesë e historisë në një mënyrë shumë autentike. Ajo listë e gjatë e publikimeve shkencore të Profesor Ejup Statovcit gjatë viteve të ’70-ta dhe të ’80-ta, u rrallua dukshëm në vitet ’90-ta, sepse në dekadën e fundit të jetës së tij, Profesor Ejup Statovci u kthye në akademik të rezistencës.

I përhershëm qoftë kujtimi ynë për Profesor Ejup Statovcin dhe i lexueshëm qoftë roli i tij në historinë e Kosovës, tha kryeministri Kurti në përmbyllje të fjalës së tij.

 


MË SHUME NGA Lajme