Në Ferizaj, sonte fillon edicioni i 52-të i Festivalit të Teatrove
Kulturë

Në Ferizaj, sonte fillon edicioni i 52-të i Festivalit të Teatrove

Pajtim Çuni/ Radio Kosova

Në Ferizaj, sonte fillon edicioni i 52-të i Festivalit të Teatrove. Për shtatë net sa do të zgjas ky festivali, që dikur ishte i pari i kësaj natyre në hapësirat mbarëshqiptare, në Teatrin “Adriana”, artdashësit mund të shohin tetë shfaqje të ndryshme.

Në Ferizaj, qytetin që në vitin 1873 u themelua dhe mori hovin zhvillimor, pas ndërtimit të linjës hekurudhor që shpinte për në Shkup e deri në Selanik të Greqisë, sonte nis Festivali i Teatrove – Ferizaj 2022. 
Edicioni i 52-të i këtij festivali fillon me shfaqjen “Memorandumi” të teatrit të Ferizajt “Adriana”. Pas kësaj, për shtatë net sa do të zgjas festivali, do të jepen edhe 7 shfaqje tjera, tregon për Radio Kosovën, Besim Ugzmajli, drejtor i festivalit me traditë mbi gjysmë shekulli.

“Natën e dytë vazhdojmë me Teatrin e Prizrenit. Mandej është “Babai dhe Babai”, një produksion i Integrës. Pastaj Teatri i Gjilanit, ai i Kumanovës me shfaqjen “Mjekimi”. Është edhe Multimedia me shfaqjen “The handke project”. Dhe, monodrama “Koleksionisti i syve”, me regjisor Ben Apollonin. Kjo shfaqje është jashtë konkurrencës”, tha ai.    

Këtë vit, për herë të parë, festivali do të do të ketë edhe disa shfaqje studentore, që do jenë jashtë konkurrencës e një varg aktivitetesh tjera. Një risi tjetër është edhe “retroteatri”, tregon tutje Ugzmajli. 

“Retroteatri si risi e një koncept i ri sjellë tri performanca të ndryshme nga: Kaltrin Balaj, Kushtrim Mehmeti dhe Kreshnike Osmani në tri ambiente të ndryshme të Ferizajt. Është fjala për ish-gjimnazin e parë, për Kishën Katolike “Engulli rojës” dhe stacionin e trenit. Këto janë tri objekte shumë të veçanta për qytetin, për shkak se prezantojnë copëza të rëndësishme trashëgimie dhe historie, e ne do i sjellim përmes performancave, si një kujtesë kolektive përballë shikuesve ferizajas dhe jo vetëm”, tha ai.  
 
Shfaqjet që do të jepen për shtatë netë fillojnë nga ora 19.00. Çmimi i biletave hyrëse 2 euro. Në natën finale, juria në përbërje të profesorit dhe dramaturgut Zymer Kelmendi, regjisorit nga Maqedonia e Veriut, Sylejman Rushiti dhe aktores nga Ferizaj, Edona Berisha, do të ndajë çmimin për: shfaqjen më të mirë, regjinë të mirë, aktorin dhe aktoren më të mirë, skenografinë dhe kostumografinë më të mirë.  


A.R Katana
Kosovo Telecom
Golden Eagle