Salihu: Kryetarët e Komunave e kanë lënë nën hije infrastrukturën
Foto arkiv
Lajme

Salihu: Kryetarët e Komunave e kanë lënë nën hije infrastrukturën

Majlinda Doda, Radio Kosova

Kryetarët e komunave në Kosovë, deri në fund të qershorit të këtij viti, nga premtimet e tyre zgjedhore, kanë të përmbushura vetëm 167 premtime, nga 1 mijë e 816 sa ka qenë gjithsej. Kështu thotë Bekim Salihu nga Instituti GAP, sipas të cilit ajo çka dominon këtë radhë është se kultura dhe shërbimet publike, i kanë lënë nën hije investimet në infrastrukturë.

Nga 1 mijë e 816 premtime që kryetarët e komunave kanë bënë në fushatë zgjedhore, deri në fund të qershorit të këtij viti, kanë përmbushur vetëm 167 premtime. Prej tyre 113 premtime konsiderohen gjysmë të përmbushura, 392 premtime kanë filluar  të përmbushen, ndërkaq 1 mijë e 144 premtime mbesin akoma të papërmbushura, dhe nuk është evidentuar asnjë nismë në premtimet e tyre. 

Duke folur për Radio Kosovën, Bekim Salihu nga Instituti GAP, tha se në këtë periudhë vërehet rënie e numrit të përmbushjeve të premtimeve nga fusha e infrastrukturës.

“Fusha e infrastrukturës ka qenë një fushë e cila ka dominuar numrin e përmbushjes së premtimeve. Ndërkaq në këtë periudhë, përkatësisht në fillim të këtij mandati vërejmë rënie që lidhen në fushën e infrastrukturës, dhe po ashtu komunat po kanë vështirësi në përmbushjen e ekonomisë dhe urbanizimit, ndërkaq numri më i madh i premtimeve në këtë periudhë janë përmbushur në fushën e bujqësisë, kulturës dhe në fushën e shërbimeve publike. Evidente mbetet fakti që fusha e infrastrukturës po del të jetë problemore në këtë rast, për dallim nga herët e kaluara dhe për dallim nga mandati i kaluar ku fusha e kulturës ka qenë përgjithësisë e anashkaluar, kësaj radhe del të jetë e favorizime në këtë fushë, për shkak se kryetarët e komunave i kanë kushtuar më shumë rëndësi premtimeve që bien në këtë fushë”, tha ai.

Ndërkohë, Diana Metushi - Krasniqi nga Demokracia në Veprim, duke folur për Radio Kosovën, thotë se ka një trend të vazhdueshëm të rritjes së transparencës në komuna, në aspektin ligjor. Shqetësuese sipas saj, mbetet niveli sesa qytetarët i shfrytëzojmë këto informacione që jepen në aspektin llogaridhënës. 

“Sa i përket përmbushjes së obligimeve ligjore  apo transparencës, është diçka që KDI e mat dhe merret që nga 2014. Ne në vazhdimësi kemi pa një rritje të vazhdueshme të transparencës komunale, por edhe të vullnetit të komunave për të shkuar përtej obligimeve apo kërkesave minimale ligjore siç është publikimi i kontratave, publikimi i vendimeve të shkallës së parë të ankesave në aspektin e prokurimit e tjerë”, tha ajo.

Ndryshe, Instituti GAP  monitoron premtimet në 27 komuna, ndërsa 10 komuna të banuara me shumicë serbe nuk zhvillojnë fushatë aktive në teren, e për rrjedhojë as nuk japin premtime elektorale dhe e njëjta praktike ndiqet edhe në komunën e banuar me popullatë shumicë turke në Mamushë, thonë zyrtarë të GAP-it.

 

 


A.R Katana
Kosovo Telecom
Golden Eagle

MË SHUME NGA Lajme