Kurti: Sjellja e mjekëve nga mërgata, çështje urgjente
Lajme

Kurti: Sjellja e mjekëve nga mërgata, çështje urgjente

Sh.Gashi/RTKlive

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se sjellja e mjekëve nga mërgata është çështje urgjente. Nën kryesimin e tij Komisioni Ekzekutiv për Shëndetësi mbajti mbledhjen e tretë.

Kryeministri Kurti theksoi edhe një herë rëndësinë e punës së përbashkët të Komisionit, për vlerësimin e kapaciteteve të nevojshme për transformimin dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore për qytetarët e vendit.

“Në takimin e sotëm u prezantuan dhe diskutuan dy studime të fizibilitetit në sektorin e shëndetësisë. Studimi i parë, për Spitalin e Prishtinës, ishte përgatitur nga ICME dhe u prezantua nga kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama dhe zyrtarët e tij. Ndërsa, studimi i dytë, për ShSKUK-në, u prezantua nga z.Thomas Ëeismann, ekspert gjerman për ekonomikë shëndetësore, me titullin ‘Përmirësimi i infrastrukturës fizike të institucioneve të kujdesit shëndetësor sekondar dhe terciar’”, thuhet në njoftim.

Po ashtu Kurti informoi Komisionin që në mbledhjen e djeshme të Qeverisë, është miratuar Udhëzimi Administrativ për licencim të profesionistëve të huaj shëndetësor.

“Miratimi i Udhëzimit do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën dhe shëndetin e qytetarëve, duke plotësuar ofrimin e shërbimeve që mungojnë ose rrezikojnë të mos ofrohen. Po ashtu, ardhja e profesionistëve të mërgatës do të mundësojë trajnimin dhe aftësimin e profesionistëve vendas për të ofruar këto shërbime në të ardhmen”, thuhet në njoftimi.

Gjithashtu ai  theksoi që udhëzimi nuk mund të arrijë qëllimin e vet pa hapa konkretë, të shpejtë dhe të vazhdueshëm për të siguruar zbatimin e tij.

“ Andaj, anëtarët e Komisionit janë dakorduar që Ministria e Shëndetësisë dhe ShSKUK-ja të nisin menjëherë hapat e nevojshëm për të planifikuar sjelljen e sa më shumë të mjekëve specialistë nga mërgata për dhënie të shërbimeve dhe ofrim të trajnimeve. Kryeministri nënvizoi se jetësimi i kësaj iniciative është çështje urgjente dhe se çdo ditë vonesë është kohë e humbur”, thuhet në komunikatë.


A.R Katana
Kosovo Telecom
Golden Eagle

MË SHUME NGA Lajme