PDK e LDK i reagojnë Qeverisë për ndaljen e pagave për grevistët
Foto: RTKlive
Lajme

PDK e LDK i reagojnë Qeverisë për ndaljen e pagave për grevistët

Muharrem Miftari/RTKlive

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se nuk do të ekzekutohen pagat e muajit shtator për grevistët. Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, i cili ka thënë se pagesat në sektorin publik janë ekzekutuar për zyrtarët të cilët kanë dalë në punë.

Lidhur me këtë deputetja nga radhët e PDK-së, Eliza Hoxha, deklaroi se ligjet nuk ishte dashur të shikohen bardh e zi, sepse ka ligje të tjera që implikohen për ligjin për greva, veçmas në ndarjen e kompetencave midis nivelit qendror dhe atij lokal e në këtë rast mësimdhënësit janë punonjës në nivelin lokal e jo në atë qendror, pra në këtë rast punëdhënës është komuna dhe rrjedhimisht niveli qendror nuk është dashur të ndërhynte në kompetenca të komunës.

Më tej ajo sqaroi ligjin mbi grevën ku përmendi nenin 18 ku flitet për grevën, me ç’rast tërhoqi vërejtjen që institucionet e ekzekutivit të jenë të kujdesshëm, sidomos në këtë rast, sepse, sikundër tha ajo ,këtu kemi ndërthurje të kompetencave , meqë punëdhënësi është komuna.

“Do të ketë kallëzim penal nëse nuk ekzekutohen pagat siç  parasheh afati ligjor”, deklaroi Eliza Hoxha, anëtare e Komisionit për Arsim, në “Info Plus”, në RTK.

Ndërsa Jehona Lushaku, deputete nga radhët e LDK-së, theksoi se kjo është një situatë shqetësuese, derisa kritikoi qeverinë në qasjen ndaj kësaj çështjeje, që dukej qartazi se nuk ka qenë e interesuar të gjejë zgjidhjen, ndonëse, siç tha ajo, është përgjegjëse kryesore për të gjetur zgjidhjen në situata të tilla.

“Dihet tashmë se arsimi, si sektor publik, ka qenë i paralizuar mbi një muaj ku nuk është mbajtur asnjë orë mësimi dhe, duke qenë sektor publik, rrjedhimisht, përgjegjësia bie mbi qeverinë”, deklaroi ajo.

Sipas Lushakut, kjo është hera e parë që u provua “të disiplinohet një sektor i tërë i mësimdhënësve dhe njëkohësisht duke dhënë shembull të tjerëve që të mos e përdorin grevën si mjet.”

Ndërkaq, duke folur për mosekzekutimin e pagave, Lushaku tha se ka rrezik që të na çojë në një konflikt social, duke futur në konflikt mes qytetarëve me njëri-tjetrin, por edhe me qeverinë.


A.R Katana
Kosovo Telecom
Golden Eagle

MË SHUME NGA Lajme