“Mbi re”, koncert kushtuar të madhes, Nexhmije Pagarusha |Video
Foto: RTKLive
Kulturë

“Mbi re”, koncert kushtuar të madhes, Nexhmije Pagarusha |Video

Muharrem Miftari/RTKlive

Javën tjetër pritet të mbahet koncerti i titulluar “Mbi re”, kushtuar këngëtares dhe artistes së madhe, Nexhmije Pagarusha, me pjesëmarrjen e sopranos Arta Jashari dhe pianistes Pranvera Hoxha Bryma.

Sopranoja Arta Jashari teksa foli për koncertin e vjetëm, vuri në dukje përshtatjen e vokalit të saj me atë të Nexhmije Pagarushës, përmes këngës “Të dua Prishtinë”.

“Por këtë vit kam tërë kohën që hulumtoj për të realizuar një koncert me orkestër”, tha Jashari në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK.

“Meqë me Pranverën kemi shumë vite që bashkëpunojmë dhe derisa kam vërejtur se ka shumë këngë të Nexhmijes që mund të përshtaten, morëm nismën që të bëjmë një koncert të formatit të tillë, që është një kombinim fantastik dhe besoj se do t’i pëlqejë edhe publikut”, deklaroi sopranoja, Arta Jashari.

Sipas saj, është mirë që këto vlera të rikthehen në skenën tonë, sidomos në këtë kohë edhe pse sië tha ajo, është përgjegjësi jashtëzakonisht e madhe.

Ndërkaq pianistja Pranvera Hoxha Bryma foli për përzgjedhjen e këngëve nga repertori i Nexhmijes, që sipas saj, nuk janë dëgjuar aq shpesh, ose janë dëgjuar krejtësisht rrallë, sidomos nga mosha e re.

Ajo përmendi elementin e kompozimit që ka qenë më sfiduese, duke përfshirë edhe përshtatjen nga kompozimi orkestral, në një kompozim në piano, kitarë, trumbetë dhe flaut.

E krejt kjo tha se është bërë me  aranzhimin e kompozitorëve Kreshnik Aliçkaj dhe Edon Ramadani.

Pianistja Hoxha shtoi se vlera e këtij koncerti qëndron në atë se tani e tutje do të ketë mundësi të organizohen koncerte të përvitshme, duke sjellë në skenë vlera të larta të muzikës shqipe, e madje jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë saj.


MË SHUME NGA Kulturë