Samiti i Inovacionit në Drejtësi mbahet për herë të parë në Kosovë|Video
BKT
Në Fokus

Samiti i Inovacionit në Drejtësi mbahet për herë të parë në Kosovë|Video

K.Kasumi/ RTKlive

Është hera e parë që në Kosovë diskutohet për inovacionet në fushën e drejtësisë. Ky samit do të mbahet nesër. Për të njoftuar më shumë për Samitin e Inovacionit në Drejtësi, të ftuar në “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK ishin Donjeta Pllana, specialiste ligjore në projektin e USAID-it për drejtësi dhe Artan Hadri, zv/drejtor i projektit të USAID-it për drejtësi.

Hadri tha se samiti është duke rritur dhe ngritur kapacitetet e tij.

“Është inovacioni i parë në Kosovë me përmasa vendore. Kemi planifikuar të jetë regjional, por meqë nuk do të jetë hera e parë, do të vazhdojmë edhe me një samit, duke ngritur kapacitetet e tij”, shtoi ai.

Ndërkaq Pllana deklaroi se qasja kryesore e USAID-it në projektin e tyre këtë herë do ta ketë në fokus qytetarin.

“USAID-i në vazhdimësi ka përkrahur sistemin gjyqësor edhe në sistemin juridik në Kosovë, mirëpo kësaj radhe ka marrë një qasje tjetër. Me projektin tonë për drejtësi qasja ka ndryshuar. Tash kemi në fokus qytetarin. Edhe drejtësia që ne prezantojmë do ta ketë në qendër qytetarin dhe nevojat e qytetarit në raport me sistemin e drejtësisë, gjithashtu duke u dhënë përkrahje shumë të madhe institucioneve që shërbimet që i ofrojnë për qytetarin  të jenë sa më të përshtatshme dhe më të qasshme për ta”, shtoi ajo.

Samiti do të mbledhë mbi 100 njerëz nga profilet e ndryshme, duke përfshirë institucionet e drejtësisë, organizatat e shoqërisë civile, bizneset, organizatat ndërkombëtare, qytetarët, studentët/të rinjtë, inovatorët dhe mediat. Kjo ngjarje, përveç lansimit zyrtar të Rrjetit të Inovacionit në Drejtësi, do të bashkojë inovatorët nga gjithë Kosova dhe rajoni, për të diskutuar risitë e ndryshme të zbatuara dhe për të shkëmbyer histori dhe përvoja suksesi përmes një paneli diskutimi.

Për më tepër, ngjarja do të tregojë dhe promovojë risitë e prezantuara nga USAID dhe të tjerët në sistemin e drejtësisë në Kosovë për 20 vitet e fundit. Gjithashtu, do të shfrytëzojë mundësinë për të përfshirë të gjithë të pranishmit në një seancë të të menduarit dizajnues, për të diskutuar çështjet dhe sfidat me të cilat përballen palët e ndryshme të interesit dhe për të gjeneruar ide në zgjidhjet e mundshme.

Kjo do të jetë një ngjarje e nivelit të lartë, e hapur nga Drejtori i Misionit të USAID-it, ku do të paraqiten pjesëmarrës kryesorë nga rajoni dhe anëtarë të panelit nga institucionet e drejtësisë.

Për më shumë ndiqeni videon më poshtë:


MË SHUME NGA Në Fokus