Gashi: Takimi i Pragës, mundësi që Kosova të gjejë më shumë aleatë
A.Bela / RTKlive
Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Drilon Gashi, është shprehur se Kosova është e përkushtuar për të ecur rrugës së integrimit në strukturat euroatlantike dhe pjesëmarrja e Osmanit në samitin e Komitetit Politik Evropian në Pragë, ku pjesëmarrës janë 44 shtete të Evropës është me rëndësi për Kosovën.
“Në këto takime mundësohet të shihet se Kosovë ka më shumë peshë. Në takimin e Pragës është mundësi e mirë që Kosova të gjejë dhe ofrojë më shumë aleatë, shtetet baltike me të cilat Kosova ka marrëdhënie dhe me ato shtete mund ta forcojë bashkëpunimin. Po ashtu në këtë takim është edhe Sllovakia, e cila ende nuk e ka njohur Kosovën dhe ka është mundësi të ketë diskutime për njohje dhe për hapje të zyrave në ato vende”, tha Gashi në emisionin Info Plus në RTK.
Për shtetet të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën, Gashi vlerësoi se ka pasur komunikim me ato shtete, por me Greqinë ka pasur më shumë komunikim. “Unë shpresoj se në një të ardhme të afërt do të ndodh njohja e Kosovës nga Greqia, unë mendoj se edhe dialogu e ndihmon procesin”, tha ai.
Kurse për takimin e mundshëm mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Republikës së Serbisë, Aleksandër Vuqiq, vlerësoi se ky takim po ndodh në një kohë dy vendet kanë mospajtime, por edhe për shkak të qasjes destruktive të Serbisë ndaj Kosovës.























