Miratohet Projektligji për Institutin e Krimeve të Kryera gjatë luftës
BKT
Lajme

Miratohet Projektligji për Institutin e Krimeve të Kryera gjatë luftës

M.Miftari/ RTKlive

(E plotësuar 19:45) Me 58 vota për, 4 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në lexim të parë, projektligjin për Institutin e Krimeve të Kryera gjatë luftës në Kosovë.

Miratimit të këtij projektligji i ka paraprirë një debat mes pozitës dhe opozitës.

Rinis seanca e Kuvendit

(E plotësuar, ora 17:02) Pas një pauze, Kuvendi i Kosovës vazhdon punimet me rend dite “Shqyrtimi i Projektligjit për Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë", si dhe pika të tjera të rendit të ditës.

Minsitrja Haxhiu mori fjalën për ta paraqitur këtë projektligj.

 

 

Kuvendi shkon në pauzë

(E plotësuar, ora 15: 35) Kryesuesja e seancës Saranda Bogujevci, duke qenë se nuk kishte kuorum të bëhet votimi i rezolutës të propozuar nga shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, propozoi të ndërprehet seanca.

Për këtë shkak, Kuvendi ndërpreu punimet dhe shkoi në pauzë.

Seanca rinis më 16:30

Tahiri: Zëvendësimi i orëve të bëhet gjatë ditëve të javës

(E plotësuar, ora 15: 25) Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, propozues i rezolutës së seancës, Besnik Tahiri në përfundim të kësaj interpelance bëri një propozim në emër të AAK-së në të cilin thuhet që zëvendësimi i orëve të humbura të arrihet përmes zhvillimit të orëve gjatë ditëve të javës, duke punuar me ndërrime.

Ai, duke komentuar ministrin Murati, i cili paraprakisht deklaroi se “të gjithë jemi humbës në këtë situatë", shtoi se humbës i madh jeni ju, ministër Murati, ngase po luani rolin e gjykatësit duke interpretuar ligjet.

Tutje ai shtoi se të shtunave nuk duhet mbajtur mësimi, por gjatë ditëve të javës, me ndërrime.

Murati: U shpërfaq tentimi i opozitës për ta sabotuar shtetin

(E plotësuar, ora 15: 18) Pas një debati të gjatë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, mori fjalën ministri Murati, i cili është i thirrur në interpelancë.

Ai theksoi se keqcitimi i qëllimshëm i neneve i ligjit për grevat, 11 dhe 18, opo bëhet nga opozita, që tani po interpretojnë ndryshe.

Ai më tej sqaroi se neni 18 për grevat grevistët pezullohen të drejtën në pagesë, ndërsa opozita i referohet nenit 13.

Lidhur me këtë ai iu referuar Organizatës Ndërkombëtare të Punëtorëve (ONP), për të drejtat e punëtorëve ne botë, tku bëhet fjalë për zbritjen e  pagave në ditët grevës, teksa citoi: “Zbritja e shumës përtej ditëve të grevës llogarite sanksion, jo gjatë grevës.”

“Zbritjet e pagës gjatë grevës, nuk është sanksion”, shtoi ministri Murati,

“Ndërkaq për muajin e kaluar përkundër kostos së lartë u shpërfaqen disa fakte: kush qëndori prapa këtij organizimi, duket PDK ,LDK AAK, për të lënë fëmijët pa mësim; mësimdhënësit nuk janë pyetur fare kur ka nisur greva, vetëm kur ka qenë çështja për dalje nga greva, pra SBASHK-u nuk gëzon besimin e mësuesve”, deklaroi ministri Murati.

Më tej ai shtoi se u shpërfaq tentimi i opozitës për ta sabotuar shtetin.

Më tej ai bëri të ditur se ka kërkuar nga Thesari që të procedohet me dhënien e pagave ndaj mësuesve, që të përcillen listat, që duhet të jenë në përputhje me ligjin.

Muja:Kemi bindur mësuesit se kanë të ardhura të ulëta

(E plotësuar, ora 14:37) Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje foli për të ardhurat e mësimdhënësve në vend duke krahasuar me vendet tjera në rajon dhe Evropë, si dhe për rezultatet e arritshmërisë të nxënësve.

Mes tjerash ai propozoi që mësimdhënësve t’u bëhet pagesa në formë të anasit në kompensim të orëve të humbura.

 Memli Krasniqi: Mësimdhënësve po u bëhet presion

(E plotësuar, ora 14:01) Kryetari i  Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, tha se ky presion që po u bëhet mësimdhënësve nuk do të harrohet.  Ai, mes tjerash, theksoi se ministrja e Arsimit do të duhej të jepte dorëheqje, teksa shtoi se qasja është e pasinqertë, sepse, siç tha ai,  kanë përjashtuar vetëm arsimtarët nga sistemi i pagesës.

“Është e pavërtetë si po interpretoni ligjet, këtë bëjnë gjykatat jo qeveria, duke u bërë gjykatës e prokurorë”, deklaroi kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Tutje, ai përmendi nenin 13 për grevat, pastaj nenin 11, përmes të cilave sqaroi  se nuk duhet të diskriminohen pjesëmarrësit e grevës përmes pagës, qeveria nuk është punëdhënës i mësimdhënësve.

“Keni pushtetin në çdo hallkë e tani mëtoni të uzurponi pushtetin lokal, përmes ndalesës së pagave e sidomos përmes ndalesës së investimeve kapitale, kjo është diktaturë, sepse doni të diktoni çdo gjë në vend”, theksoi Krasniqi.

Më tej ai tha se njerëzit iu kanë zgjedhur të qeverisni, jo të ushtroni diktat.

Murati për çështjen e pagave, po respektoj ligjin

A.Bela / RTKlive

(E plotësuar, ora 13:33) Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se për çështjen e ekzekutimit të pagave, po respekton ligjin e Financave Publike.  “Sa i përket procesit të pagave, ai zhvillohet në thesar duke u bazuar në listat e organizatave buxhetore. Pra, paraja publike shpenzohet sipas ligjeve në fuqi dhe në interes të publikut”, tha Murati. Ai bëri me dije se ka ndodhur që kanë ardhur kërkesa që nuk bazohen ligj. Murati bëri me dije se për grevistët nuk duhet të paguhen, pasi që ata nuk kanë punuar.

Kusari-Lila: Të gjendet zgjidhje dhe jo vetëm të shkojmë në shkelje të ligjit

Shefja e Grupit Parlamentar, Mimoza Kusari-Lila, tha se sot duhet të trajtohet në Kuvend se cilat janë problemet.  Sipas saj duhet të gjendet zgjidhje dhe jo vetëm të shkojmë në shkelje të ligjit.

Hoxha: Ministri Murati ka bërë gabim edhe muajin e kaluar

Deputetja Eliza Hoxha në emër të PDK-së, ka kritikuar ministrin Murati për veprimet e tij. “Ky ministër ka bërë gabim edhe muajin e kaluar, ne kemi ushtruar kallëzim penal ndaj tij”, tha ajo.

Fillon interpelanca e ministrit Muratit

(E plotësuar, ora 12:48) Seanca e Kuvendit të Kosovës po vazhdon me interpelancën e Ministrit Hekuran Muratit.

Propozuesi i interpelancës, shefi i grupit të parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se në mes të shtatorit kanë kërkuar të ketë interpelancë të Muratit. “Është shqetësuese se sa me krenari po merren vendime të tilla që e dëmtojnë qeverisjen të cilat  krijojnë edhe probleme. Është absurde që po aludohet që po ruhet buxheti i shtetit, e në anën tjetër po shkelet dinjiteti i mësimdhënësve”, tha Tahiri.

Live|Kurti: Me ligjin e pagave Kosova do ta ketë modelin e administratës

(E plotësuar, ora 12:30) Seanca e Kuvendit të Kosovës po vazhdon me pyetjen e deputetëve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri me dije se projektligji për paga e ka përfunduar kalendarin e konsultimeve publike dhe tani janë duke u trajtuar komentet, vërejtjet dhe hollësitë procedurale para se të vijë në mbledhjen e qeverisë së Kosovës dhe më pastaj miratohet në Kuvend.

“Me ligjin e pagave Kosova do ta ketë do ta ketë modelin e administratës”, tha ai.

Aliu: Ngritja e çmimeve shkaktoi telashe në ndërtimin e rrugëve

(E plotësuar, ora 11:50) Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, tha se është brengosëse gjendja e rrugëve.“Problemet që dalin në ndërtimin e rrugëve  janë qoftë të natyrës së shpronësimeve, apo edhe defektet e tjera që dalin. Po ashtu një element shtesë është edhe ngritja e çmimeve që ka ndikuar negativisht. Unë shpresoj që si qeveria dhe Kuvendi, të ndryshojmë udhëzimet për shkak të ngritjes së çmimeve”, tha në Kuvendin e Kosovës.

LDK dërgon në Kushtetuese vendimin për pagat e mësimdhënësve

(E plotësuar, ora 11:20) Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka filluar fjalimin në Kuvend për mos ekzekutimin e pagave të mësimdhënësve e sipas tij ky dënim është nivel i ulët.  Abdixhiku vlerësoi se Albin Kurti dënoi 25 mijë mësimdhënësit kosovarë.

“Kurti është mësuar të mbijetojë nga krizat, njerëzit e Kosovës janë lodhur me kriza dhe betejat pa rëndësishme. Sot në vend që të flasim për reformat në arsim, ne flasim për pagat. Të dashur mësimdhënës, pagat do të paguhen, ne do të përdorim çdo rrugë ligjore dhe institucionale. Prandaj LDK-ja do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për veprimin jo human të qeverisë së Kosovës”, tha ai.

(E plotësuar) Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, në seanca ka folur për ish-deputeten Vasfije Krasniqi dhe deputeten Saranda Bogujevcit.

Po ashtu ai ka folur për çështjen e pagave të mësimdhënëseve, duke thënë se kjo temë është e dhimbshme se ku kemi arritur.

Vazhdon seanca e Kuvendit me deklarimet jashtë rendit të ditës

(E plotësuar, ora 10:59) Kuvendi i Kosovës po vazhdon punimet e seancës me deklarimet jashtë rendit të ditës.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka folur për kallëzimin penal që i kanë bërë ministrit Hekuran Murati. “Ne i bëjmë thirrje Muratit të ekzekutojë pagat, është e drejtë e tyre. Secila gjykatë ia garanton të drejtën e tyre”, tha ai. 

Live|Kuvendi i Kosovës nuk ndryshon rendin e ditës

(E plotësuar, ora 10:58) Kuvendi i Kosovës nuk ka votuar propozimin e Vetëvendosjes për ndryshim të rendit të ditës.

Live|Mospajtime për ndryshim të rendit të ditës mes pozitës dhe opozitës

(E plotësuar, ora 10:35) Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar që të ndryshohet rendi i ditës.

Deputetja e VV-së, Arbreshë Kryeziu ka arsyetuar këtë propozim, duke thënë se këto janë marrëveshje ndërkombëtare dhe nuk janë kredi që opozita po i konsideron ato.

Kërkesën për ndryshim të rendit të ditës e ka kundërshtuar këtë propozim shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi. “Ky propozim për neve është i papranueshëm, mbi 26 mijë mësimdhënës nuk i kanë marrë ende pagat. Sot ata nuk kanë bukë me hëngër”, theksoi Gashi, raporton RTKlive.

Edhe shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri kritikoi propozimin e VV-së, për ndryshim të rendit të ditës. “Besoj se ju do të reflektoni këto ditë dhe do t'i qitni pagat për mësimdhënës dhe ne këto do t’i kthehemi normalitetit", tha ai.

AAK nuk voton asnjë ligj

Kurse deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, kritikoi mos veprimet e qeverisë rreth mësimdhënësve. “Sot 30 mijë vet po presin pagat, e ne këtu flasim për marrëveshjet ndërkombëtare”, tha ai.  Tahiri bëri me diej se AAK nuk do të votojë asnjë marrëveshje, as për ligje tjera deri sa nuk përfundon saga rreth grevistëve.

Live| Seanca e Kuvendit

(E plotësuar, ora 10:30) Kuvendi i Kosovës ka filluar punimet me betimin e deputetit Nasuf Bejta, nga Lëvizja Vetëvendosje. Deputeti Bejta zëvendëson Vasfije Krasniqin, e cila dha dorëheqje ditë më parë.

 

Ministri Murati sot në interpelancë

Kuvendi i Kosovës mblidhet sot në seancën plenare, ku në rend të ditës, në mesin e 10 pikave të përcaktuara nga Kryesia e Kuvendit, është edhe Interpelanca e ministri të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Ky i fundit është ftuar nga opozita për çështjen: “Cenimi i të drejtave të punëtorëve në administratën shtetërore me ndalimin e pagave, si dhe presioni mbi pushtetin lokal, ndërhyrja në autonominë e komunave”.

Përveç pyetjet parlamentare, në seancën e sotme do të Shqyrtohet Projektligji për Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë; do të jetë Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Tubime Publike; Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Sigurinë Kibernetike dhe; Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar.
Po ashtu si pikë tjetër e rendit të ditës është Shqyrtimi i Propozim-rezolutës për gjendjen në sektorin e shëndetësisë; Shqyrtimi i Rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit për pasqyrat financiare të Ministrisë së Shëndetësisë për vitin 2021 dhe; Shqyrtimi i Rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit për pasqyrat financiare të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës për vitin 2021.


MË SHUME NGA Lajme