Abdixhiku: LDK po ofron masa konkrete për tejkalim të krizës
BKT
Foto: LDK
Lajme

Abdixhiku: LDK po ofron masa konkrete për tejkalim të krizës

B. Halimi / RTKlive

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka qëndruar sot në Pejë, ku u takua me struktura e qytetarë të kësaj komune, në kuadër të ciklit debatues “LDK ju dëgjon”.

Gjatë diskutimit të hapur me aktivistë dhe qytetarë, i pari i këtij subjekti theksoi se ‘LDK ka zgjedhur dëgjueshmërinë përballë padëgjueshmërisë, unifikimin përballë ndarjes, mirëkuptimin e dialogun përballë ofendimit e mosdialogimit, hapjen përballë mbylljes, afrimin përballë braktisjes, shpresën e besimin përballë zhgënjimit e justifikimit’.

“Kjo Qeveri mund të ushqehet me kriza e të jetoj nga to, mirëpo çmimi i këtyre krizave është bërë i papërballueshëm për qytetarë. Nuk mund që qytetarët fillimisht t’i braktisësh e pastaj edhe t’i ndjekësh për t’i ndëshkuar. Rasti i fundit ishte kur 25 mijë familje të mësimdhënësve u përballën me ndëshkimin qeveritar, duke u dënuar kolektivisht në ditë të demokracisë.  Mësimdhënësve ua ndalën pagat duke iu vështirësuar jetën edhe më tej, duke mos u mjaftuar me vështirësitë e krizave të tjera që ata si tërë shoqëria po kalojnë”, theksoi Abdixhiku.

Sa i përket dorëheqjes së ministrit të Shëndetësisë, dr. Rifat Latifi, kreu i LDK-së tha se ministri i vërtetë i kësaj ministrie është vetë kryeministri, ndaj dhe ky është dështimi i tij.

Më tej, Abdixhiku, tha se po i dëgjon dhe adreson të gjitha sfidat nëpër të cilat po kalon vendi ynë. Po ashtu, ai potencoi se LDK ka ofruar propozime konkrete për lehtësimin e krizës së rritjeve të çmimeve ku inflacioni ka arritur 20%, e çmimi i produkteve të shportës është dyfishuar, ndërsa buxheti për investime kapitale është realizuar vetëm 11%.

“Nuk ka krizë të cilën ky pushtet nëse nuk e ka prodhuar, sigurt e ka thelluar, ndërsa përballë të gjitha krizave, LDK ka ofruar ide dhe propozime konkrete për lehtësim apo tejkalim të tyre, mirëpo papërgjegjësia dhe padëgjueshmëria qeveritare është krizë e veçantë”, ka thënë Abdixhiku, thuhet në njoftimin e këtij subjekti politik.


MË SHUME NGA Lajme