Pjesëmarrës të Asamblesë Parlamentare të NATO-s vizituan FSK-në
N.Mekolli /RTKlive
Pjesëmarrësit e seminarit të 102-të të Rose-Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që po mbahet në Kosovë, të kryesuar nga Sekretarja e Përgjithshme e Asamblesë Parlamentare, Ruxandra Popa, sot kanë vizituar Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në Ferizaj.
Bëhet e ditur se ata u pritën nga Shefi i stafit të FSK-së gjeneral brigade Jeton Dreshaj i shoqëruar nga zëvendës komandanti i KDS -së kolonel Mehmet Lladrofci.
“Gjeneral Dreshaj përshëndeti të pranishmit në emër të Komandantit të FSK-së gjenerallejtënant Bashkim Jashari i cili po qëndron në vizitë zyrtare në SHBA së bashku me Ministrin e Mbrojtjes Z. Armend Mehaj.
Gjeneral Dreshaj me këtë rast prezantoi para të pranishmëve vizionin dhe të arriturat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, dhe u diskutua për sfidat dhe kërcënimet në rajon dhe më gjerë, gjithashtu të arriturat e FSK-së bazuar në planin 10 vjeçar të tranzicionit, krijimin e kapaciteteve të mbrojtjes me mandatin e ri të FSK-së”, njofton zyra për informim e Ministrisë së Mbrojtjes.
Bëhet e ditur se, ata po ashtu u njoftuan edhe me kapacitetet që ofron Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes, ku shefi i shtabit nënkolonel Arsim Shaqiri, prezantoi misionin dhe strukturën, kurset dhe trajnimet, planet për të ardhmen, bashkëpunimin bilateral me vendet partnere që po ndihmojnë në ngritjen e kapaciteteve të KDS-së.
Të pranishmit patën mundësin të shohin edhe disa nga stërvitjet që janë duke u realizuar në KDS.


























