Abbott: Britania e Madhe mbështet Kodin Civil në Kosovë
Valjeta Shala/RTK
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott ka ofruar mbështetje për Kodin Civil të Kosovës, duke i siguruar edhe ligjvënësit kosovarë, se Mbretëria e Bashkuar e mbështet komunitetin LGBTI dhe të gjithë individët që duan të krijojnë familjet e tyre.
Këto deklarata ambasadori Abbott i ka bërë në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione në Kuvendin e Kosovës. Temë diskutimi në këtë komision ishte: “Aspektet të cilat ndërlidhen me të Drejtat e Njeriut, përfshirë çështjet që kanë të bëjnë me viktimat e dhunës seksuale, grupet e margjinalizuara dhe barazinë gjinore”.
“Gjatë 35 viteve të fundit të drejtat e njeriut janë bërë ndër çështjet kryesore në Britani dhe kam kënaqësinë të dëgjoi objektivat dhe prioritete e juaja. Dua të flasë edhe për Kodin Civil, si do të zgjidhet kjo çështje dhe ju do ta keni mbështetjen këtu. Ne nuk jemi donator, por jemi të interesuar për partneritet dhe jemi të barabartë në këtë partneritet sa më gjatë që të jetë e mundur”, tha Abbott.
Në këtë diskutim në Kuvend, diplomati britanik, ka thënë se është përgjegjësi e secilit ligjvënës që mos t’i ofendoj ose diskriminoj kategoritë e tjera.
“Ne mbështesim komunitetin LGBTi...Është koha të mendoni për këtë. Ju keni mundësi të krijoni një diskutim në këtë çështje, të hapni një debat, një diskutim të civilizuar duke siguruar që mos t’i ofendojmë asnjë grup as kategori”, ka thënë mes tjerash Abbott.
Kryetarja e këtij komisioni, Duda Balje ka thënë se është kundër kodit penal, derisa ka folur edhe për fuqizimin dhe mbrojtjen e garave.
“Ne jemi një shtet i vogël dhe të gjithë deputetët jemi me traditat dhe kulturat të ndryshme. Ndoshta nuk jemi të gatshëm për të bërë këtë. Është një ligj i rëndësishëm për të gjithë, por nuk jam e gatshme për Kodin Civil”, tha Balje.
Ndërsa Alban Bajrami nga VV, thotë se në një moment të afërt do ta gjejnë një mes, që të gjitha palët që të ndahen të kënaqura me votimin e Kodit Civil.
Ndërsa Labinotë Demi- Murtezi tha se Kodi Civil për 18 vite vazhdoi të sillet në zyrat e Kuvendit të Kosovës. “Fakti që ka kaluar nga dora në dorë, e qeveri në qeveri, nënkupton ndjeshmërinë e tij”, tha mes tjerash ajo.
Ndërsa Eliza Hoxha nga PDK, tha se Kodi Civil duhet të kaloi sa më parë. Ajo foli edhe për dhunën në hapësira publike, e që sipas saj, janë çështje që duhet adresuar.
“Ajo çfarë kemi parë çdo ditë është dhuna në hapësira publike dhe është një çështje që duhet ta adresojmë. Por, Kod Civil është dokument që duhet të kaloj sa më parë pasi këtë e thotë edhe Kushtetuta dhe duhet të bëjmë këtë”, tha Hoxha.























