Osmani: Fëmijët me sindromën Down kanë nevojë për përkrahjen tonë çdo ditë
Fadil Sertolli / RTKlive
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani me rastin e ditës ndërkombëtare e fëmijës vajzë dhe muaji i ndërgjegjësimit për personat me sindromën Down, ka thënë se fëmijëve vajza duhet t`ua krijojmë mundësinë që të mund ta realizojnë potencialin e plotë.
“Sa më të fuqishme vajzat e sotme, më të fuqishme janë gratë e së nesërmes”, ka thënë Osmani.
Tutje, sipas presidentes, tetori nuk është vetëm muaj i vajzave, por edhe i ndërgjegjësimit për personat me sindromën Down.
“Ata janë si ne, të ngjashëm, të ndryshëm, por të barabartë. Për këta fëmijë nuk mjafton e as nuk duhet të jetë vetëm një ditë”, tha Osmani.
Ajo më tej tha se fëmijët me sindromën Down kanë nevojë për përkrahjen tonë çdo ditë.
“Çdo ditë e tyre është ditë e jona, e çdo ditë e jona vë në qendër të vëmendjes kujdesin ndaj tyre”, tha e para e shtetit Vjosa Osmani.























