LDK me rezolutë kundër rasteve të dhunës seksuale
BKT
Foto: Lidhja Demokratike e Kosovës
Lajme

LDK me rezolutë kundër rasteve të dhunës seksuale

E.Hoti/RTKlive

Lidhja Demokratike e Kosovës është në përgatitje të një Rezolute të cilën do ta dorëzojë në Kuvendin e Republikës së Kosovës me qëllim të trajtimit më efektiv të rasteve të dhunës seksuale dhe ngacmimit seksual nga mekanizmat ekzistues institucional në Republikën e Kosovës.

Me iniciativë të LDK-së dhe mbështetje të Fondacionit gjerman "Konrad Adenauer", Zyra në Kosovë, u organizua një tryezë diskutimi me temën: Politikat dhe veprimet kundër dhunës seksuale dhe ngacmimit seksual në Kosovë, ku morën pjesë kryetarja e Forumit të Gruas, Jehona Lushaku dhe deputetja, Doarsa Kica Xhelili.

“Përveç konfirmimit që jemi duke u ballafaquar me një urgjencë nacionale, u rikonfirmua edhe domosdoshmëria që të ketë një riaktivizim mbi një çasje praktikisht proaktive në këtë drejtim”, thuhet në njoftimin e LDK-së në Facebook.

Sipas LDK-së, ekzistimi i rasteve të recedivizmit të pandëshkuar është tejet shqetësues, sikurse janë veprimet e ndërmarra në përgjithësi në fazën parapenale.

“Vonesat që rrjedhin nga lëndët e shumta në trajtimin e këtyre rasteve, po shërbejnë si dekurajim për viktimat që t’i raportojnë këto krime, sikurse po shërbejnë për një lloj amnistie që po i bëhet kryerësve të këtyre veprave, sidomos me parashkrimin e lëndëve. Problem del të jetë edhe forma e trajtimit të rasteve me rastin e raportimit në Policinë e Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.

Sipas Lidhjes Demokratike të Kosovës, duhet të ketë zero tolerancë për këto raste dhe, si parti, do të angazhohen fuqimisht në identifikimin dhe adresimin e të gjitha mjeteve të nevojshme përmes rrugëve institucionale "për të shtyrë përpara procese që përfundimisht do të ndihmojnë në adresimin e barrierave ligjore dhe institucionale që pengojnë sundimin e ligjit në këtë drejtim".


MË SHUME NGA Lajme