Petkoviqit nuk i jepet leja të hyjë në Kosovë
J.Musliu/RTKlive
Për të dhjetën herë, Petar Petkoviqit, drejtorit të së ashtuquajturës Zyrë serbe për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, i është ndaluar të hyjë në territorin e Republikës së Kosovës.
Njoftimin e ka dhënë vetë kjo zyrë e cila ka njoftuar se Petkoviq, nuk do të mund të realizojë vizitën e planifikuar, pasi autoritetet kosovare nuk i kanë dhënë leje për të hyrë.
“Kjo është hera e dhjetë që autoritetet në Prishtinë, të udhëhequra nga Albin Kurti, demonstrojnë forcë dhe arbitraritet”, shkruan në njoftimin kësaj hyrjeje.
“Ata ia kanë ndaluar Petkoviqit të vizitojë Kosovën”.
Autoritetet serbe pretendojnë se kjo është shkelje brutale e marrëveshjes, si ajo për lirinë e lëvizjes dhe Marrëveshja për vizitat zyrtare.
“Ajo marrëveshje parasheh një procedurë të thjeshtuar për vizitën e kryenegociatorit për dialogun me Prishtinën”.
Petkoviq kishte planifikuar të merrte pjesë në fronëzimin e patriarkut serb Porfirije në Patriarkanën e Pejës.
Ndërkohë, autoritetet e Kosovës ende nuk kanë sqaruar arsyen përse Petkoviqit nuk i ëhstë dhënë leja për të hyrë në Kosovë.
Bazuar në marrëveshjen e Brukselit, palët duhet të njoftojnë 48 orë më parë njëra-tjetrën për vizitat zyrtare dhe është në diskrecion të palëve nëse japin ose jo leje.























