Osmani pranoi raportin e KE-së, thotë se Kosova sivjet aplikon për BE
BKT
Foto: Presidenca e Kosovës
Lajme

Osmani pranoi raportin e KE-së, thotë se Kosova sivjet aplikon për BE

M.Shefkiu/RTKlive

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Republika e Kosovës formalisht do të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke theksuar nevojën e përshpejtimit të këtij procesi, si dhe nevojën urgjente të përmbylljes së procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Këto komente presidentja Osmani i bëri pasi ka pranuar  Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2022, nga shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomáš Szunyog.

Presidentja Osmani ka ritheksuar po ashtu përkushtimin e institucioneve të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si prioritet shtetëror i Kosovës. Në këtë drejtim, ajo ka përmendur hapat konkret të ndërmarra nga institucionet vendore për forcimin e sundimit të ligjit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut.

Ambasadori Szunyog ka theksuar se raporti i sivjetëm njeh progresin e përgjithshëm të Kosovës, veçanërisht në sundimin e ligjit, si në krahasim me vitin e kaluar ashtu edhe me vendet e rajonit.

Ndërkaq në temën e reformave, presidentja Osmani ka folur mbi vullnetin e institucioneve të Republikës për ta vazhduar punën intensive në luftim të krimit dhe korrupsionit, dhe ka deklaruar vendosmërinë për fuqizim të sundimit të ligjit në të gjitha sferat.

Ajo po ashtu ka potencuar se “në kuadër të kompetencave kushtetuese do të jetë garantuese e realizimit të këtyre prioriteteve, ashtu siç ka qenë edhe deri më tash”.

Ndryshe, Komisioni Evropian në raportin e sotëm të progresit, përsëritet qëndrimin i mëparshëm, se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, ndërsa kërkohet që Këshilli i BE-së të merret me urgjencë me këtë çështje.


MË SHUME NGA Lajme