Pallaska: KiE duhet të nxjerr të vërtetën për etiketimet e luftës|Video
M.Sh/RTKlive
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në fjalimin e tij që mbajti në Këshillin e Evropës në Strasburg kërkoi rishikimin e Rezolutës 1782 të miratuar në vitin 2011, për raportin e Dick Martyt, duke e shpallë të pabazuar. Për këtë temë është diskutuar edhe në RTK “Prime” me avokatin Dastid Pallaska, që është në mbrojtjen e ish-presidentit Hashim Thaçi.
Ai përshëndet qëndrimin dhe kërkesën e kryeministrit Rama, u cili tha se Raporti i Dick Marty është ‘fake news’ më i madh që është shpërndarë ndonjëherë.
Sipas Pallaskës, deklarata e Ramës lidhet me dy segmente, të parën Shqipërinë e cila ishte përfshirë si shteti ku supozoheshin se janë kryer trafikimet e organeve dhe të dytën, Kosovën e cila ka marrë barrën më të madhe nga ky raport, duke formuar Dhomat e Specializuara dhe Prokurorinë Speciale.
Në këtë fushë, Pallaska tha se Shqipëria ka bashkëpunuar ngushtë me organet e drejtësisë, dhe pas dhjetë vitesh del se është etiketuar pa asnjë fakt me një akuzë të rëndë. “E po ashtu është etiketuar në mënyrën më monstruoze, UÇK e cila pas sa vitesh, del se nuk ka të bëj me akuzat e Dik Martyt”, tha ai.
Prandaj, avokati i Speciale, Pallaska thotë se Shqipëria me këtë rezolutë po kërkon që të vërtetohet se, raporti i Martyt ishte një pavërtetë e madhe që ka ndodhë edhe me ‘bekimin’ e KiE-së.
“Asambleja e KiE mund të nxjerr një raport vijues, pasi Shqipërisë i duhet edhe në aspektin ligjor, morale e politik që ta përmbyll këtë proces duke e përfunduar një kapitull për pretendimet e pa pabaza”, tha ai.
Ndryshe, Edi Rama në fjalimin e tij në Këshillin e Evropës përkujtoi faktin se kreu i delegacionit rus në asamble, në 2008 paraqiti një mocion kundër UÇK-së.
Për Specialen foli edhe kryeministri Albin Kurti, i cili tha se për krimet në Kosovë duhet të ndiqen forcat serbe. “...së shpejti bëhen dy vjet që kemi mbajtjen në paraburgim pa një datë gjykimi. Mbi të gjitha unë besoj që faktorët ndërkombëtar do të duhej të mobilizohen që krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë nga forcat e Serbisë, të ndiqen dhe gjithashtu përgjegjësit e faktorët të gjykohen e dënohen”, tha Kurti.























