Politikanët e Luginës në SHBA, konfirmohet qëllimi i vizitës
Jeton Musliu/RTKlive
(Plotësuar) Për herë të dytë brenda disa muajsh, drejt Washingtonit kanë udhëtuar politikanët shqiptarë të Luginës së Preshevës.
Kryetari i Këshillit të Shqiptarëve në Luginën të Preshevës, Ragmi Mustafi, ka konfirmuar se bashkë me politikanët e tjerë të Luginës, janë nisur për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në llogarinë e tij në Facebook, Mustafi deklaroi se angazhimi i përbashkët për avokimin e pozitës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës me Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane të Joe & Shirley DioGuardi, të mbështetur nga Qeveria e Kosovës dhe Kryeministri Albin Kurti është në kuadër të ndërmarrjes së hapave strategjik.
“Mundësia që edhe Lugina e Preshevës të bëhet pjesë e agjendës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës është jashtëzakonisht e rëndësishme në zhvillimet rajonale të Ballkanit Perëndimor”, shkroi ai.
Shqiptarët në Luginën e Preshevës përballen me diskriminime të ndryshme nga Serbia.
E fundit është edhe çregjistrimi i tyre si banorë të Serbisë, të të gjithë atyre që nuk jetojnë aty.
Politikanët e Luginës së Preshevës udhëtojnë drejt Washingtonit
Burime të RTKlive nga Lugina konfirmojnë se të mërkurën pasdite, drejt kryeqytetit amerikan janë nisur disa nga liderët politikë shqiptarë.
Deputeti në Parlamentin e Serbisë dhe kryetari i Partisë për Veprim Demokratik (PDD) Shaip Kamberi, kryetari i Komunës së Bujanocit (PD) Nagip Arifi, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa e Ragmi Mustafi, kryetar i PDSH-së, kanë udhëtuar të mërkurën drejt SHBA-së.
Ende nuk dihet arsyeja e kësaj vizite, por burime ende jozyrtare deklarojnë se ata do të takohen në Washington me të emëruarin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar si edhe disa zyrtarë të tjerë nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Kontakti me politikanët shqiptar të Luginës, të enjten në mëngjes, për të marrë më shumë informacione në lidhje me këtë udhëtim, ishte i pamundur.
Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, në një vizitë të ngjashme kanë qenë edhe në qershor të këtij viti.























