Baerbock: 9 mijë tabelat serbe të veturave e minojnë sovranitetin e Kosovës
BKT
Lajme

Baerbock: 9 mijë tabelat serbe të veturave e minojnë sovranitetin e Kosovës

Fadil Gashi / Radio Kosova

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, gjatë një konference me homologen Donika Gervalla Schwarz në Berlin, theksoi se qeveria gjermane është e angazhuar dhe po e ndihmon Kosovën dhe Serbinë në zgjidhjen konkrete të problemeve, siç janë tabelat e makinave dhe furnizimi me energji në veri.

“Qeveria gjermane ia ka bërë të qartë Serbisë se në fund të procesit të dialogut, duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës, pasi kjo është kusht për integrimin e Serbisë në BE”, theksoi ministrja e Jashtme Gjermane, Baerbock.

Ajo theksoi se qeveria gjermane e ka vendosur Ballkanin dhe Kosovën në epiqendër të interesimit të saj. Përparimi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore është i domosdoshëm dhe Gjermania është e gatshme të ndihmojë në zgjidhjen e çështjeve konkrete siç është problemi i tabelave të makinave dhe furnizimi me energji ne veri.

 “Për mua është e qartë se 9 mijë tabela serbe në automjetet të cilat qarkullojnë në Kosovë, që nga Koha e Millosheviqit, minojnë sovranitetin e vendit tuaj. Qytetarët serbë duhet të ndërrojnë tabelat dhe qeveria gjermane ia ka bërë të qartë qeverisë së Serbisë se kjo temë dhe ajo e energjisë në veri, duhet të rregullohen mbi bazën e marrëveshjeve të arritura, në mënyrë që në fund të procesit të dialogut, Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës dhe kjo është kusht për integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian”.    

Baerbock ka folur edhe për liberalizmin e vizave:

 “Për mua, si ministre e Jashtme e Gjermanisë, liberalizimi i vizave për Kosovën ka prioritetin më të lartë. Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet dhe tani është detyrë e BE-së të mbajë fjalën. Kjo temë prandaj është sot në tavolinën e takimit të  ministrave të BE-së dhe më nuk do të lejojmë që të ketë shtyrje”, ka shtuar ajo.

Në anën tjetër, ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gervalla Schwarz, ka falënderuar homologen saj për ndihmën dhe përkushtimin që qeveria gjermane po bën ndaj Kosovës, ndërsa ka theksuar se “normalizimi në dialogun me Serbinë mund të kulmojë vetëm me njohjen reciproke”.


MË SHUME NGA Lajme