10 vjet pritje për liberalizimin e vizave|Video
Leonora Berbatovci, /RTK
Derisa në BE ende nuk ka një datë për liberalizimin e vizave, në Kosovë për 10 vjet me radhë janë dhënë afate të ndryshme se kur do të hiqen barrierat e lëvizjes. Por teksa parashikimet nuk dolën, në vitet e fundit nga klasa politike nuk u përmendën më afate. Por megjithatë, pritjet që ky proces të përmbyllet së shpejti, vazhdojnë.
Vera e këtij viti ka shënuar 10 vjet prej kur Kosova mori udhërrëfyesin nga Bashkimi Evropian për plotësimin e kritereve për liberalizimin e vizave.
Prej atëherë, dhjetëra kritere të vendosura nga BE ishin pjesë e punës së institucioneve në mënyrë që të merrej sinjali për liberalizim. Vit pas viti vlerësohej përmbushja e këtyre kritereve e cila në gjuhën diplomatike të zyrtarëve evropianë shpesh konsiderohej si progres i arritur në disa pika, por që vazhdimisht kërkohej më shumë luftë sidomos në fushën e sundimit të rendit e ligjit.
Derisa zyrtarët evropianë herë flisnin për kritere teknike e herë për mungesë të një konsensusi politik dhe prani të skepticizmit tek disa vende, për vite të tëra nga politika në vend thuhej se procesi ishte në muajt, javët e madje edhe orët e fundit, raporton RTK.
Megjithatë pritet të shihet nëse viti 2023 do të jetë fundi i izolimit të qytetarëve të Kosovës, të cilët janë të vetmit në rajon të cilët nuk mund të udhëtojnë lirshëm.























