Daja thotë se mungesat ndikuan në humbjen nga Sivasspor
Uran Krasniqi/RTKLive
Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja ka thënë se mungesat e disa lojtarëve ndikuan në humbjen nga Sivasspor.
"Në dy ndeshjet e mbetura nuk do t’i kalojmë si ndeshje radhe, por do të bëjmë lojën tonë. Me Slavian kemi një kundërshtar edhe më të fortë, ata humbën sot dhe do të jenë në maksimum në ndeshjen ndaj nesh. Do të kemi dy javë për t’u marrë me kampionatin sepse është i rëndësishëm dhe pastaj do të mendojmë për Slavian duke shpresuar të rikuperojmë disa lojtarë, sidomos ata me eksperiencë”, është shprehur Daja pas ndeshjes.
Futbollisti Bajram Jashanica ka thënë se sulmuesit duhet t’i shfrytëzonin rastet e krijuara.
“Kemi bërë një pjesë të parë shumë të mirë, ndërsa në pjesën e dytë lamë goxha territor. Duhet të ishim pak më cinikë te rastet, por nuk është se dua t’jua vë fajin sulmuesve”, ka thënë Jashanica.
Sivasspor fiton me përmbysje në Prishtinë
Ballkani i është dorëzuar Sivassporit në njëzet minutat e fundit të ndeshjes.
Skuadra turke ka fituar me përmbysje.
Ekipi suharekas pjesëlojën e parë e fitoi 1-0, madje epërsinë me golin e Armend Thaçit e ruajti deri në minutën e shtatëdhjetë e një, por pastaj nuk gjeti fuqinë.
Fillimisht Arslan dhe më pas Angielski realizuan për fitoren e Sivasspor.
Sivasspor realizon edhe golin e dytë kundër Ballkanit
Sivasspor ka kaluar në avantazh ndaj Ballkanit. Tashmë klubi turk ka marrë në dorë ndeshjen që po zhvillohet në stadiumin "Fadil Vokrri" në Prishtinë dhe ka shënuar edhe golin e dytë.
Angielski ka realizuar golin e dytë për skuadrën turke në minutën e tetëdhjetë e një.
Sivasspor barazon ndaj Ballkanit
Sivasspor ka barazuar rezultatin ndaj Ballkanit në stadiumin "Fadil Vokrri" në Prishtinë.
Deri te goli turqit kanë ardhur në minutën e shtatëdhjetë e një kur mbrojtja e skuadrës kosovare është gjetur në gjumë dhe Arslan e ka shtyrë topin me kokë drejt rrjetes.
Paraprakisht Ballkani ka patur raste të mira shënimi me Krasniqin, por pa finalizim.

Ballkani kalon në epërsi ndaj Sivasspor
Ballkani e ka zhbllokuar ndeshjen në stadiumin "Fadil Vokrri" në Prishtinë. Armend Thaçi ka kaluar në epërsi kampionin kosovar ndaj Sivassporit turk.
Kapiteni i klubit suharekas ka realizuar me një goditje të bukur nga brenda zonës.
Paraprakisht edhe Rrahmani ka pasur një rast ideal.
Nis ndeshja Ballkani - Sivasspor
Ka nisur ndeshja Ballkani - Sivasspor, e vlefshme për Conference League. Kjo është ndeshja e dytë nga këto dy klube brenda një harku kohor shtatë ditësh. Ndeshjen e parë e ka fituar kampioni kosovar me rezultat 3-2.
Ballkani - Sivasspor, formacionet
Ballkani dhe Sivasspor ndeshen sonte për herë të dytë në kuadër të Conference League. Tashmë janë publikuar edhe formacionet zyrtare.























