Bordi i RTK-së mirëpret raportin e KE-së, ku RTK vlerësohet pozitivisht
RTKlive
Në takimin e Bordit të datës 13 tetor 2022, Bordi i RTK-së ka diskutuar në detaje dhe ka mirëpritur publikimin e Raportit për Kosovën nga Komisioni Europian, në të cilin janë vlerësuar pozitivisht një sërë aspektesh që kanë të bëjnë me transmetuesin publik.
Në tërësinë e tij, përtej raportimit të progresit në shumë fusha, të cilat janë në interes të publikut, raporti flet edhe specifikisht rreth transmetuesit publik të Republikës së Kosovës. Kësisoj, në seksionin e Transmetuesit të Shërbimit Publik, në faqe 34, raporti thekson se “Transmetuesi publik (RTK) ka hyrë në një fazë të re të zhvillimit të tij, me Bordin e sapoemëruar në nëntor 2021. Procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit të RTK-së ka qenë i bazuar në merita, transparent dhe profesional, dhe me përfaqësim të barabartë gjinor. Ky proces u vlerësua nga shumë organizata vendore dhe ndërkombëtare. Ka pasur ndryshime në menaxhmentin e lartë të RTK-së, me shkarkimin e pozitave kryesore drejtuese për shkak të keqmenaxhimit. Bordi ka miratuar një rregullore të re për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së dhe menaxhmentit të lartë, në bazë të së cilës në qershor ka zgjedhur Drejtorin e ri të Përgjithshëm për një mandat trevjeçar. RTK-ja tani ka shtrirë mbulimin e saj duke përfshirë edhe pjesën veriore të Kosovës. Përkundër kësaj, komunitetet serbe të Kosovës vazhdojnë të mbështeten kryesisht në transmetuesit lokal dhe serb.”
Gjithashtu, raporti flet edhe për nevojën e adaptimit të një Ligji të ri për RTK-në, i cili para së gjithash do ta zgjidhte çështjen e financimit duke siguruar pavarësinë e plotë editoriale të RTK-së. Si rrjedhojë, në kapitullin 10 të raportit rreth Transformimit Digjital dhe Medieve, konkretisht në faqe 93, nënvizohet se “Duhet gjetur një zgjidhje e qëndrueshme për financimin e transmetuesit publik dhe sigurimin e pavarësisë së tij editoriale.” Strategjia e Bordit të RTK-së është në harmoni të plotë me të gjeturat e raportuara nga komisioni, marrë për bazë së në planin e aprovuar të punës së Bordit për vitin 2022, theks i veçantë vihet në nevojën për zgjidhjen e qëndrueshme të çështjes së financimit, mirëpo edhe për digjitalizimin e mëtejmë të transmetuesit publik, i shoqëruar me planin e investimeve kapitale gjatë vitit në vijim. Në të njëjtin kapitull, në faqe 94, Raporti i Progresit gjithashtu nënvizon faktin se “Rishikimi i Ligjit aktual për Radiotelevizionin e Kosovës ka filluar në vitin 2019, por procesi është i ngadalshëm. Projektligji i ri përfshin një model financimi real dhe të qëndrueshëm për RTK-në. Kuvendi e shkarkoi bordin e RTK-së në korrik 2021, duke përmendur refuzimin e menaxhmentit të RTK-së për t'u audituar dhe dështimin e tij për të respektuar procedurat e prokurimit dhe për të hartuar një strategji afatgjatë të kërkuar me ligj”, si dhe gjithashtu potencohet fakti se “Bordi aktualisht është duke ndërmarrë ndryshime në RTK për ta bërë atë më efikas në ofrimin e shërbimeve për publikun”.
Ndërkohë, rikujtojmë se Bordi i RTK-së qe nga konstituimi i tij në dhjetor të vitit 2021, ka mbajtur më shumë se 60 takime (mesatarisht 6 takime në muaj), gjatë të cilave ka skanuar situatën e tërësishme të transmetuesit publik dhe ka ndërmarrë veprime konkrete në përmirësimin e gjendjes dhe korrektimin e gabimeve të së kaluarës në respektimin e legjislacionit në fuqi.
Ndërkohë, në RTK nuk është investuar për shumë vite në sigurimin e kushteve elementare për punë. Ndërsa nga ana tjetër, RTK-së këtë vit i janë ndarë vetëm 8,96 milionë euro nga buxheti i shtetit, shumë që ka rezultuar se është e pamjaftueshme për të përmbushur nevojat emergjente që ka transmetuesi publik. Në fillim të këtij viti, buxheti i shpenzuar vetëm për paga ka qenë mbi 90%, ndërsa aktualisht është rreth 80%. Kjo vazhdon të jetë brengë kryesore financiare për Bordin e RTK-së. Në këtë drejtim, RTK ka ulur shpenzimet dukshëm duke kursyer në operacione dhe logjistikë, mirëpo edhe duke ulur fuqinë punëtore të angazhuar për gati 30%, përmes mosvazhdimit të kontratave të paligjshme për shërbime, të cilat janë lidhur për pozita esenciale pa konkurse, si dhe përmes ndërprerjes së kontratave të disa punonjësve të rregullt, të cilët nuk e kanë respektuar kontratën e punës.
Në situatën aktuale, RTK ka nevojë për fonde shtesë, me çka do të sigurohej që transmetuesi publik t’i përmbushë obligimet që dalin nga Ligji për RTK-në, i cili përcakton funksionimin e tij, duke ofruar mbulim të ngjarjeve më të rëndësishme politike, shkencore-profesionale, edukative, kulturore, argëtuese dhe sportive. Sipas Ligjit për RTK-në, së paku 15% e skemës programore të RTK-së duhet të plotësohet me produksione të jashtme, të cilat deri në këtë moment nuk janë kontraktuar, në mungesë të fondeve në dispozicion. Në anën tjetër, RTK ka ende 1.6 milionë euro borxhe të trashëguara, të cilat nuk kanë mundur të shlyhen në mungesë të buxhetit, e për te cilat RTK përballet vazhdimisht me procedura përmbarimore. Për këto dhe për investime tjera kapitale (pajisje, hapësira pune dhe teknologji operimi), Bordi i RTK-së së bashku me menaxhmentin kanë përgatitur një analizë dhe kërkesë për fonde shtesë, që është dërguar në Kuvend për shqyrtim, mirëpo kërkesa nuk është shqyrtuar ende.
"Bordi i RTK-së do të vazhdojë të jetë transparent, në mënyrë që puna dhe veprimet e tij të jenë tërësisht të njohura për publikun, duke qenë të hapur për monitorim nga secila palë e interesuar nga jashtë dhe brenda RTK-së. Në proceset e punës së këtij Bordi në këtë kontekst, janë dhënë vlerësime të larta nga organizata të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare. Prandaj, është fundamentale që kjo punë e hapur, e pavarur, produktive dhe transparente të vazhdojë dhe të përkrahet, deri në vendosjen e RTK-së në piedestalin që e meriton", thuhet në komunikatën e Bordit të RTK-së.























