Kusari-Lila: Kosova në udhëtim njëdrejtimësh drejtë BE-së
Valmira Saraçi Sahatçiu/ RTKlive
Kryetarja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila dhe kryetari i GP të AAK-së, Besnik Tahiri kanë folur pas mbledhjes së Kryesisë, aty ku u vendos që të enjten e ardhshme të mbahet një seancë, ku do të trajtohen të gjitha pikat e rendit të ditës të mbetura qysh nga 4 gushti deri më 7 tetor.
Megjithatë, shefja e deputetëve të partisë në pushtet nuk ka dashur të lëshohet shumë në deklarime rreth kushteve të reja që mund t’i jenë vendosur Kosovës për liberalizim vizash.
Kusari –Lila, tha se një gjë është e qartë se Kosova i ka plotësuar kushtet dhe rruga e shtetit drejtë BE-së është njëdrejtimëshe.
“Në momentin kur ende nuk ekziston një konfirmim zyrtar i kërkesave që janë për Kosovën apo kushteve teknike siç janë quajtur unë do të kufizohem në dhënien e një përgjigje definitive në këtë fushë”, tha para gazetarëve ajo.
E pyetur rreth kritikave karshi Kuvendit në Raportin për Kosovën të KE-së për mungesën e kuorumit në këtë institucion, Kusari –Lila tha se kjo ka qenë një kritikë e saj edhe karshi Grupit Parlamentar që e drejton, në fundin e sesionit pranveror.
Megjithatë, shtoi se përkundrejt që shumë seanca janë përmbyllur në mungesë kuorumi, legjislatura e 8-ë tha ajo, ka treguar një sukses me numër rekord projektligjesh të miratuara.
“Një prej formave që jemi dakorduar është që seancat të mbahen gjithmonë në ditë të caktuara në mënyrë që ditët tjera kur ka Komisione apo udhëtime të mos krijohen situata ku paraqitet mungesa e kuorumit” tha ajo.
Ka treguar se pozitë e opozitë janë dakorduar sot në Kryesi që të votohen 5 marrëveshje ndërkombëtare që lidhen me zbatimin e marrëveshjes IPA.
Tahiri i AAK-së: Institucionet duhet të kërkojnë të ndalet diskriminimi i kosovarëve
Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri tha se në mbledhjen e Kryesisë ka ngritur çështjen e liberalizimit të vizave.

“Është e pakuptimtë që Kuvendi e Qeveria të mos ketë një komunikim zyrtar, të kërkojnë nga institucionet përgjegjëse, pse po bëhet ky diskriminim ndaj qytetarëve”, ka thënë para gazetarëve ai.
Sipas tij, Kosovës po i vendosen kushte që njihet si shteti më pro evropian e pro amerikan, derisa Serbia është vendi i vetëm në Evropë që nuk i ka vendosur sanksione Rusisë e po kalkulon për interesa politike.
“Dje u vendos edhe një kusht, nesër do të del edhe një shtet tjetër që do të vendosë edhe një kusht. Ky trajtim jo dinjitoz duhet ndalohet. Drejtimi ynë dihet është pro perëndimor e pro amerikan”, tha tutje ai.
Tahiri tha se nëse kryeministri nga ndonjë kusht, duhet t’i tregojë popullit, e nëse jo duhet ta trajtojë këtë çështje seriozisht.
Shefi i deputetëve të AAK-së foli për mungesën e kuorumit në seanca, si një nga të gjeturat e Raportit për Kosovën të Komisionit Evropian.
Tha se opozita ka qenë konstruktive duke votuar marrëveshjet ndërkombëtare, por mungesa e kuorumit tha ai është përgjegjësi e pushtetit, dhe mospjesëmarrja e opozitës në votime është instrument politik.























