Raporti i Progresit sheh ngecje në gjyqësor, reagon shoqëria civile |Video
Donika Sherifi/RTK
Kosova ka shënuar pak progres në krahasim me vitin e kaluar, derisa gjyqësori është i ngadalshëm, joefikas dhe i ndjeshëm ndaj ndikimeve të panevojshme. Kështu thuhet në raportin e progresit të publikuar nga Komisioni Evropian për periudhën tetor 2021-2022.
Sa i përket funksionimit të drejtësisë, mes kritikash e vlerësimesh, Kosovës i sugjerohet që reformat në gjyqësor, t’i bëjë së pari duke përdorur mjetet ekzistuese për ruajtjen e integritetit, pavarësisë dhe efikasitetit të sistemit gjyqësor.
RTK ka provuar të marrë një qëndrim nga Ministria e Drejtësisë për kritikat e sugjerimet e raportit, por që pavarësisht insistimit nga kjo ministri nuk kanë shprehur gatishmëri për të dhënë informacione.
Ndërkohë, nga shoqëria civile në vend thonë se korrupsioni dhe krimi i organizuar janë dy faktorë që ndikojnë në këtë sektor.
“Sipas Raportit të Progresit, korrupsioni dhe krimi i organizuar nuk është që kanë pasur progres edhe gjatë këtij viti, pra edhe gjatë monitorimit tonë për shembull nuk ka ndonjë vendim të formës së prerë që është dënuar dikush nga profili i lartë për vepra penale korruptive e as për krim të organizuar. Raportet e Progresit duhet të merren parasysh. Aty ka pasur edhe rekomandime, edhe të gjetura të ndryshme të cilat në njëfarë mënyre ia bëjnë më të lehtë Kosovës që në rrugëtimin e saj t’i ketë parasysh edhe këto rekomandime”, ka theksuar Lavdim Makshana nga Instituti i Kosovës për Drejtësi-IKD.
Edhe Njomza Arifi nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) thotë se sa i përket sundimit të ligjit, Raporti i Progresit nuk ka ndonjë dallim thelbësor këtë vit.
“Kosova ende gjendet në faza të hershme dhe natyrisht korrupsioni, ndikimi politik, pandëshkueshmëria e figurave ose profileve të larta, mungesa e aktgjykimeve në formë të prerë për nivele të larta edhe shumë çështje të tjera kanë bërë që vlerësimi të mbetet ende negativ dhe e njëjta natyrisht ndikon në besueshmërinë qytetare karshi institucioneve të vendit”, tha ajo.
Sipas Makshanës e Arifit, Raporti i Progresit përkundër kritikave, ka mirëpritur zhvillimet për Vettingun dhe mbikëqyrjen e konkursit për kryeprokuror të shtetit.























