Haradinaj shpreh shqetësimin se si po i qaset Qeveria krizës në vend
BKT
Lajme

Haradinaj shpreh shqetësimin se si po i qaset Qeveria krizës në vend

Sh. Gashi/RTKlive

Kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vazhduar ciklin e bashkëbisedimit me qytetarë. Ai, sot, ka qenë në Suharekë, ku ka lëshuar kritikat e radhës ndaj qeverisë.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se, bashkëbisedimin me qytetarët po e vazhdon, pasi pushtetarët po fshihen nga qytetarët.

“Përderisa pushtetarët po fshihen nga qytetarët, kam vazhduar sot ciklin e bashkëbisedimit me qytetarë, kësaj radhe në Suharekë. Biseduam për dialogun, domosdoshmërinë e rolit amerikan në të si dhe rëndësinë e madhe që ka për vendin tonë anëtarësimi në NATO”, shkruan Haradinaj.

Ai shprehet i shqetësuar për mënyrën se si po i qaset qeveria krizës në vend.

“Gjithashtu, shpreha shqetësim për mënyrën se si po i qaset qeveria krizës në vend, çmimet në rritje, por jo edhe pagat, të cilat edhe më tutje mbesin të parregulluara me ligj. Dobësimi dhe varfërimi i mjekëve, mësimdhënësve, policëve e zyrtarëve të tjerë të shtetit, shkakton dobësimin e sistemit shëndetësor, arsimor, atij të sigurisë dhe shtetit në tërësi”, ka shkruar ai.


MË SHUME NGA Lajme