Raporti i Progresit: Kuvendi ka menaxhuar dobët agjendën legjislative
BKT
Lajme

Raporti i Progresit: Kuvendi ka menaxhuar dobët agjendën legjislative

Kosovare Gashi/Radio Kosova

Kuvendi i Kosovës është përballur në vazhdimësi me mungesë kuorumi, si rrjedhojë, shumë projektligje kanë mbetur pa u kaluar. Në Raportin e Progresit 2022 thuhet se Kuvendi ka menaxhuar dobët agjendën legjislative. Ndërkohë, monitoruesit e Kuvendit përgjegjës për këtë e mbajnë pozitën dhe opozitën.

“Nuk ka Korum...”- Kjo fjali ka bërë që shumë projektligje të mos kalojnë në Kuvendin e Kosovës. E pikërisht për këtë në Raportin e Progresit për këtë vit thuhet se Kuvendi ka menaxhuar dobët agjendën legjislative, shumë herë edhe për shkak se deputetët e opozitës kanë abstenuar nga votimi, për të penguar miratimin e vendimeve.

Edhe monitorues të tjerë të Kuvendit e vlerësojnë të dobët punën e legjislativit. Ehat Miftari, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka thënë për Radio Kosovën se duke pasur parasysh që partia në pushtet ka shumicë të numrave, pritjet kanë qenë më të mëdha.

“Në këtë legjislaturë pritjet e publikut kanë qenë të mëdha për vetë faktin që partia në pushtet ka një shumicë solide në Kuvendin e Kosovës dhe miratimi i iniciativave ligjore do të duhej të kalonin më lehtësi.

Fatkeqësisht, kjo nuk ka ndodh në këtë legjislaturë. Në bazë të monitorimit tonë, shumë seanca kanë dështuar për shkak të mungesës së përgjegjësisë nga deputetët”, ka thënë Miftari.

Arbër Fetahu, nga Grupi për Studime Politikë dhe Juridike, ka thënë se deri më tani kjo legjislaturë është përballur me papërgjegjësi dhe me inate politike nga opozita e cila nuk i ka votuar projektligjet.

“Ajo që është parë si veçori gjatë kësaj legjislature është se ka pasur mungesë të kuorumit në shumë raste nga ana e pushtetit, gjë që nuk është praktik e mirë, pasi i kanë numrat e mjaftueshëm për t’i çuar përpara projektligjet. Në anën tjetër është parë që opozita për inate politike i ka bojkotuar seancat”, ka deklaruar Fetahu.

Kuvendi i Kosovës në shumicën e rasteve përballet me mungesë të deputetëve, që si pasojë edhe nuk arrihet të bëhet kuorum për kalimin e projektligjeve.


MË SHUME NGA Lajme