Kryeministri Kurti ngushëllon Turqinë për vdekjen e 41 minatorëve
J.Musliu/RTKlive
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ka shprehur dhimbjen për tragjedinë e sotme të minatorëve në Turqi.
Ai ka shprehur ngushëllime të përzemërta Republikës së Turqisë dhe familjeve të 41 minatorëve, që humbën jetën në aksidentin tragjik në Amasra.
Tragjedia ndodhi pas shpërthimit në një minierë qymyri në provincën Bartin të Turqisë.
“Mendimet dhe lutjet tona janë me ju”, ka shkruar Kryeministri Kurti.
Të paktën 41 persona kanë mbetur të vdekur pas një shpërthimi në një minierë qymyri në provincën veriore Bartin të Turqisë, tha të shtunën presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan.
Më herët, ministri i Brendshëm turk, Suleyman Soylu, tha se 58 nga 110 personat që punonin në minierë kur ndodhi shpërthimi u evakuan nga ekipet e shpëtimit ose dolën vetë.
Ministri i Energjisë, Fatih Donmez, tha më vonë se zjarri në minierë ishte vënë përgjithësisht nën kontroll, por përpjekjet për izolimin e tij po vazhdonin pas incidentit që ndodhi 350 metra nën tokë.
Autoritetet turke thanë se Prokuroria ka nisur një hetim për shkakun e incidentit, por sipas të dhënave fillestare shpërthimi ishte shkaktuar nga metani në minierë.























