Bislimi ambasadorit francez: Brenda vitit aplikojmë për anëtarësim në BE
Valmira Sarçi Sahatçiu/RTKlive
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka pritur në takim ambasadorin e Francës, Olivier Guérot. Temë ishte edhe dialogu Kosovë-Serbi.
Në bisedën e zhvilluar u shpreh gatishmëria për të vazhduar marrëdhënien dhe bashkëpunimin e ngushtë me ambasadën franceze.
Sipas njoftimit të Qeverisë, Bislimi e ka quajtur këtë vit shumë të rëndësishëm sa i përket agjendës evropiane të Kosovës, derisa i ka treguar diplomatit francez se pas aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, do të aplikojnë brenda vitit edhe për anëtarësim në Bashkimin Evropian, me qëllim marrjen e statusit të vendit kandidat.
“Kosova gjendet në vitin e 6-të të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, duke qenë vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor i cili akoma nuk ka aplikuar, andaj tashmë ka ardhur momenti të merret një hap i tillë”, thuhet në njoftimin për takim të shpërndarë nga ekzekutivi.
Aty ndër të tjera është diskutuar edhe mbi marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë në rajon dhe dialogun me Serbinë, ku është potencuar fakti se Kosova mbetet e përkushtuar dhe konstruktive në këtë proces, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje të përhershme, ligjërisht të obligueshme, me në qendër njohjen reciproke.
Sipas qeverisë marrëdhëniet Kosovë-Francë kalojnë edhe përmes rritjes së bashkëpunimit ekonomik, rritjes së investimeve franceze në vend e projekteve konkrete në fusha me interes të përbashkët.























