Konjufca falënderon shefen e MCC-së për ndihmën mbi 200 milionëshe
B.Halimi/RTKlive
(I plotësuar) Edhe kryeparlamentari, Glauk Konjufca ka pritur në takim Kryeshefen Ekzekutive të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit, Alice Albright.
Shefi i legjislativit ka falënderuar MCC-në dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për programin "Kompakt" që parasheh ndihmën mbi 200 milionë dollarëshe për ndërtimin e sistemeve akumuluese të energjisë në Kosovë, duke e cilësuar si projektin më të madh energjetik që nga paslufta.
“Në këto kohë të vështira, kur kriza energjetike si rezultat i pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia po përdoret si mjet për të kërcënuar stabilitetin në Evropë dhe më gjerë, miq të dëshmuar si Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në krah të Kosovës”, citohet të ketë thënë në takim kryeparlamentari, Konjufca.
Tutje sipas kreut të Kuvendit, projektet e MCC-së do të ndikojnë në pavarësinë energjetike të Kosovës, do të diversifikojnë burimet energjetike dhe do të mbështesin avancimin e grave në sektorin e energjisë.
Kryetari i Kuvendit po ashtu ka siguruar drejtuesit e MCC-së se institucionet e Kosovës, përfshirë Kuvendin, kanë qenë dhe do të jenë miq të MCC-së duke i mirëpritur gjithherë projektet që ata i realizojnë në Kosovë.
Bëhet e ditur se shefja e MCC-së, Albright ka përshëndur gatishmërinë e Kuvendit të Kosovës për të bashkëpunuar me ta derisa ka vlerësuar punën që ka bërë ky institucion.
Tutje Albright ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar sa më ngushtë në ndryshimet e nevojshme legjislative për zbatimin e projekteve të MCC-së.
Kryetari Konjufca dhe Kryeshefja e MCC-së u pajtuan për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë.
Kurti takon shefen e MCC-së: Synojmë ekonomi të orientuar kah eksporti
Kryeministri Albin Kurti, bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe Shefin e Stafit të kryeministrisë, Luan Dalipi mirëpritën sot shefen ekzekutive të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alice Albright, e shoqëruar nga ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Kurti e falënderoi znj. Albright për bashkëpunimin e deritanishëm dhe shprehu gatishmërinë për vazhdimin e tij drejt zbatimit sa më shpejtë të Programit Kompakt në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në korrik të këtij viti.
Përpos ratifikimit në Kuvend me mbështetjen e 89 deputetëve në më pak se një ditë pas nënshkrimit, në mbledhjen e 100-të të Qeverisë, janë themeluar edhe dy grupe punuese në shërbim të zbatimit të marrëveshjes. Kështu, Kosova për herë të parë po krijon kapacitetet e saj të para për akumulimin me bateri të energjisë elektrike, dhe po investon në zhvillimin e shkathtësive të reja në sektorin e energjisë, duke u përgatitur për tranzicionin e drejtë energjetik, njofton ekzekutivi.
“Marrëveshja me MCC-në për Programin Kompakt vjen në një moment kritik. Republika e Kosovës synon një ekonomi të orientuar kah eksporti dhe rritje të kapaciteteve të energjisë së ripërtritshme. Për të dy këto, Programi Kompakt dhe MCC-ja janë shumë të rëndësishme”, tha ndër të tjera kryeministri Kurti.
Shefja ekzekutive e MCC-së, Alice Albright u shpreh falënderuese për ratifikimin e shpejtë të marrëveshjes në Kuvend të Republikës së Kosovës dhe dha gatishmërinë e plotë për bashkëpunim të afërt drejt zbatimit sa më të shpejtë të saj. Ajo tha se Programi Kompakt është projekt afatgjatë për Kosovën, me prioritet edhe për vetë MCC-në.
Ky takim u zhvillua në kuadër të vizitës së znj. Albright në Kosovë. Vizita e saj vjen pas nënshkrimit të marrëveshjes për Programin Kompakt ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përfaqësuara nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), me vlerë 236.7 milionë dollarë amerikan. Ai përbën investimin më të madh dhe më inovativ në sektorin e energjisë në Kosovë deri më sot dhe do të kontribuojë në sigurinë energjetike të vendit. Investimet e Programit Kompakt do të jenë në pronësi të Republikës së Kosovës dhe shënojnë një nga bashkëpunimet më të rëndësishme zhvillimore në mes të Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Osmani: Programi Kompakt i MCC-së në Kosovë, shembull për rajonin
Presidentja Vjosa Osmani, ka takuar sot kryeshefen ekzekutive të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alice Albright.
Presidentja Osmani e ka falënderuar znj. Albright dhe MCC-në për punën dhe përkushtimin për fillimin e suksesshëm të Programit Kompakt për Republikën e Kosovës. Presidentja Osmani ka theksuar dedikimin e institucioneve të Kosovës për këtë program, gjë që është reflektuar edhe në procesin e negocimit, nënshkrimit, si dhe ratifikimt në një kohë rekord nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, njofton Presidenca.

Osmani ka thënë se projekti do ta vendosë Kosovën në hartë si shembull për të gjithë rajonin dhe më gjerë për sa i përket investimeve në sektorin e energjisë. Ajo vlerësoi se investimi në bateri do të ndikojnë në lehtësimin e tranzicionit energjetik dhe integrimit më të shpejtë të burimeve të ripërtëritshme të energjisë në sistemin energjetik, përderisa, ngritja e kapaciteteve të fuqisë punëtore e në veçanti të grave, do të ndikoj në krijimin e burimeve të nevojshme njerëzore për implementim të suksesshëm të projekteve inovative.
Tutje, presidentja Osmani ka potencuar mbështetjen e vazhdueshme për të gjitha institucionet relevante me qëllim të materializimit sa më shpejt të programit, gjë që përfundimisht do të ndikojë edhe në tërheqjen e investimeve të huaja.
Në takim, Osmani ka folur po ashtu për miqësinë e palëkundur në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, duke theksuar se programi i ri me MCC-në do të shënojë një kapitull të ri që konfirmon edhe njëherë raportin e veçantë ne mes të dy vendeve tona. Me këtë rast, presidentja i ka shprehur znj. Albright mirënjohjen e thellë të popullit të Kosovës për kontributin e nënës së saj, ish-sekretares së Shtetit, Madeleine Albright, për lirinë e popullit tonë.























