Gërvalla niset për Nju Jork, nesër flet para KS të OKB-së
Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive
Zëvendëskryeministrja e Kosovës që njëherësh është edhe ministre e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka udhëtuar për në Nju Jork ku do të marrë pjesë në takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Kryediplomatja kosovare do të përfaqësojë Kosovën në seancën ku do të shqyrtohet raporti periodik i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres për vendin tonë.
“Gjatë këtij takimi, ministrja Gërvalla do t’i paraqesë të arriturat e Republikës së Kosovës, sfidat me të cilat përballet, sukseset në fushën e ekonomisë dhe sundimit të ligjit, reformat në fusha të ndryshme si dhe perspektivën e vendit”, ka bërë të ditur zyra për media e MPJD-së.
Seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së do të mbahet të martën, më 18 tetor, duke nisur nga ora 15:00, ndërsa sipas orës lokale në Kosovë nga ora 21:00.























