Osmani në takim me delegacionin portugez: Liberalizimi çështje urgjente
B. Halimi / RTKlive
Komisioni Evropian ka rekomanduar heqjen e vizave për Kosovën, ngase vendi ynë i ka plotësuar të gjitha kriteret. Prandaj, vendimmarrja politike gjatë Presidencës Çeke është më se urgjente dhe hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave nuk duhet të mbetet peng i asnjë teknikaliteti. Këto komente presidentja e vendit, Vjosa Osmani i ka bërë gjatë takimit të sotëm me delegacionin e Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit të Portugalisë.
Ky delegacion po kryesohet nga kryetari i këtij komisioni Sergio Souza Pinto, e të cilin e ka falënderuar për mbështetjen e Portugalisë dhënë Kosovës.
Me delegacionin portugez, presidentja ka diskutuar edhe për raportet ndërshtetërore dhe mbështetjen e Portugalisë për sa i takon procesit të liberalizimit të vizave dhe anëtarësimit në Këshillin e Evropës, njofton presidenca.
Po ashtu, sipas njoftimit, në takim më delegacionin portugez presidentja Osmani ka folur edhe për rëndësinë e pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Sipas saj, anëtarësimi në këtë organizatë avancon liritë dhe të drejtat e njeriut. Në këtë kontekst, ajo ka falënderuar Portugalinë për mbështetjen e deritashme.
Në takim, u shfaq gatishmëria e dyanshme për shkëmbimin e përvojave dhe avancimin e bashkëpunimit ndërmjet të dyja parlamenteve, sikurse edhe në fushën e politikës së jashtme, mbrojtjes, arsimit, turizmit dhe sfera të tjera të interesit të përbashkët.























