Kurti takon Shefin e OSBE-së, zotohen për vazhdimin e bashkëpunimit
N.Mekolli /RTKlive
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Shefin e misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadorin Michael Davenport.
Kryeministri Kurti dhe ambasadori Davenport folën për bashkëpunimin aktual ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në çështje të interesit të të dy palëve, ku OSBE ndihmon Qeverinë dhe institucionet e Kosovës.
“U bisedua për veprimet në mbrojtje dhe respektimit të drejtave të njeriut, me fokus te komunitetet pakicë në Kosovë. Po ashtu, për forcimin e zbatimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve Zyrtare dhe veprimet drejt themelimit të Njësisë së Përkthimit dhe Harmonizimit, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, për të lehtësuar qasjen në informata me interes publik”, njofton zyra për informim e Kryeministrit.
Bëhet e ditur se në këtë takim u diskutua edhe për vazhdimin e bashkëpunimit për parandalimin e dhunës në baza gjinore dhe fuqizimin ekonomik të grave.























