Pjetër Shala dëshiron të bëjë deklaratë në nisje të procesit gjyqësor
Gjykata Speciale

Pjetër Shala dëshiron të bëjë deklaratë në nisje të procesit gjyqësor

Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive

Procesi gjyqësor kundër Pjetër Shalës pritet të filloj së shpejti në Dhomat e Specializuara në Hagë dhe ish-pjesëtari i UÇK-së dëshiron të flasë para trupit gjykues në fillim të procesin gjyqësor kundër tij.

Kjo është konfirmuar nga mbrojtja e Shalës në konferencën përgatitore për gjykim në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Në këtë konferencë nga prokuroria u tha se janë të gatshëm për fillimin e procesit gjyqësor, ndërsa mbrojtja deklaroi se gatishmëria e tyre varet nga dokumentet që marrin nga ana e ZPS-sw, meqw sipas avokatit, Jean-Louis Gilissen, prokuroria ende nuk e ka përfunduar nxjerrjen e provave.

“Jam i lumtur që prokurorët janë të gatshëm të fillojnë gjyqin dhe nuk kanë përfunduar nxjerrjen e provave, është një mrekulli t’i dëgjosh të thonë se jemi të gatshëm ndërkohë ne kemi kohë që kërkojmë gjëra që janë një numër dokumentesh që kanë pasoja për palën mbrojtëse. Është e çuditshme për mendimin tim, palës mbrojtëse i janë dhënë dokumente kaq vonë, nga ana tjetër ata thonë që janë të gatshëm për të filluar, nga ne çdo gjë varet nga dokumentet që marrim”, tha avokati, Jean-Louis Gilissen.

Mbrojtja deklaroi se duan të bëjnë fjalën e tyre hyrëse në fillim të gjykimit ndërsa shtoi se edhe vetë Pjetër Shala do të flasë.

“Zotëri Shala dëshiron të bëjë një deklaratë, nuk e di nëse do të jetë një deklaratë (pa betim) e shkurtër, por jam i sigurt që nuk është shumë e gjatë”, tha ai.

Në këtë konferencë u diskutua edhe për mundësinë e një vizite të trupit gjykues në vendin ku pretendohet të kenë ndodhur ngjarjet rreth së cilave prokuroria e akuzon Shalën.

Palët dhe mbrojtësi i viktimave vlerësuan se një vizitë e tillë do të ndihmonte trupin gjykues.

Sipas mbrojtjes së Shalës, kohw e përshtatshme për një vizitë të tillë do të ishte pasi të dëgjohen argumentet e prokurorisë dhe para fillimit të paraqitjes së provave nga ana e mbrojtjes.

Ndërkaq sipas prokurorisë, periudha kohore e duhur për një vizitë në vendin ku pretendohet të kenë ndodhur ngjarjet është në fund të paraqitjes së provave nga ZPS-ja, pala mbrojtëse dhe mbrojtja e viktimave.


MË SHUME NGA Gjykata Speciale