KGJK dhe MCC lansojnë dy platforma
BKT
Lajme

KGJK dhe MCC lansojnë dy platforma

Emine Hoti / RTKlive

Sot është bërë lansimi i Platformës së të Dhënave Online dhe Mekanizmit për Përcjelljen e Lëndëve. Lansimin e këtyre dy platformave e kanë bërë kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj dhe Drejtoresha e MCC-së, Alice Albright. Me këtë rast është nënshkruar edhe një Marrëveshje Mirëkuptimi.

Platformat e lansuara janë: Platforma e të Dhënave Online  (ODP), e cila ofron të dhëna statistikore për performancën e sistemit gjyqësor të Kosovës dhe Mekanizmi për përcjelljen e lëndëve  (CTM),  i cili ofron informacione për palët që kanë lëndë në gjykatë, statusin e tyre si dhe veprimet procedurale të realizuara lidhur me lëndën.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj ka falënderuar drejtoreshën e MCC-së, Alice Albright për mbështetjen që i kanë dhënë sistemit gjyqësor me platformën Qasja e Publikut në Informata Gjyqësore, respektivisht mekanizmi i përcjelljes së rasteve dhe Platforma e të Dhënave të Hapura që sipas tij përbejnë një të arritur të jashtëzakonshme të sistemit gjyqësor për transparencën e këtij sistemit, raporton RTKlive.

Zogaj tha se Këshilli Gjyqësor po bënë reforma të brendshme për realizimin e misionit të drejtësisë për qytetarin. Ai tha se një prej objektivave të rëndësishme është edhe zhvillimi i platformave online që i mundësojnë qytetarit përcjelljen e punës së Këshillit Gjyqësor dhe gjykatave si dhe akses shumë më efikas.

“Këto dy platforma që i përurojmë sot e lehtësojnë jetën e qytetarit dhe kontribuojnë shumë edhe në besueshmërinë e publikut në gjyqësor. Një prej objektivave të Këshillit Gjyqësor është hapja e gjyqësorit, komunikimi me qytetarin. Po përmendi se një punë e madhe e gjyqësorit transmetohet dhe ky mekanizëm do t’i mundësojë përcjelljen e lëndës çdo qytetari që e ka ndonjë çështje në gjykatë”, tha ai.  

Kurse drejtoresha e MCC-së, Alice Albright tha se dy platformat që i lansojnë sot e rrisin transparencën në punën e gjyqësorit.  

Albright tha se i kanë ofruar mjete qeverisë kosovare për t’i ofruar qytetarëve më lehtë shërbime, teksa ka vlerësuar përpjekjet e ekzekutivit për një qeverisje më transparente.

 ” Llogaridhënia dhe transparenca është e rëndësishme dhe MCC ka kontribuar për këtë në të gjitha nivelet e qeverisë duke i dhënë asaj mjete për t’i lehtësuar shërbimet popullit të saj", tha ajo.

Drejtori i përgjithshëm i Milenium Foundation Kosovo (MFK), Petrit Selimi, tha se çështja e transparencës dhe e besimit të qytetarëve në institucione të qeverisjes dhe të gjyqësorit ka qenë sfidë.

“Duke u nisur nga kjo, ne, bashkë me ekipin e KGJK-së kemi zhvilluar dy platforma. E para është që një qytetar që e ka rastin në gjyqësor të këtë mundësi në mënyrë online ta shikoj se ku e ka rastin e vet, në cilën procedurë, cili është gjykatësi apo prokurori, cilat janë informatat që i nevojiten. Pra, është një mekanizëm i përcjelljes së rasteve individuale. Forma e dytë është po ashtu e thjeshtë pasi që janë qindra mijëra raste të dixhitalizuara. Pse mos t’i përdorim këto të dhëna për të nxjerrë statistikat e gjyqësorit”, tha Selimi.

Këshilli Gjyqësor i Kosoves e nderoi me medalje drejtoreshën e MCC-së, Alice Albright për kontributin në ngritjen e trasparecës në këtë istitucion.

 


MË SHUME NGA Lajme