Bislimi: Objektiv i Kosovës aplikimi për anëtarësim në BE
BKT
Foto: Qeveria e Kosovës
Lajme

Bislimi: Objektiv i Kosovës aplikimi për anëtarësim në BE

Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi ka pritur gjatë ditës në takim Shefin e Zyrës Diplomatike të Belgjikës në Kosovë, Julien Sassel.

Në takimin ndërmjet numrit dy të qeverisë dhe diplomatit belg u bisedua mbi agjendën evropiane të Kosovës për këtë vit.

Siç bën të ditur Qeveria, aty u përmend aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, për të cilin u riafirmua mbështetja e Belgjikës.

“Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi dhe nevojën për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës. Gjithashtu, informoi z. Sassel për objektivin e Kosovës për të aplikuar deri në fund të këtij viti për anëtarësim në BE, me qëllim marrjen e statusit të vendit kandidat”, thuhet në njoftimin e zyrës për media të ekzekutivit.

Gjithashtu në njoftim thuhet se u diskutua edhe mbi Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për vendin tonë për vitin 2022, e i cili sipas njoftimit u vlerësua progresi i bërë dhe u cilësua si ndër më të mirët ndonjëherë për Kosovën dhe ndër më të mirët për këtë vit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.


MË SHUME NGA Lajme