Kërkohet transparencë në dialogun Kosovë-Serbi|VIDEO
Muharrem Miftari/RTKlive
Dialogu nuk duhet të zhvendoset në çështje teknike, pasi nëse Kosova merret me çështje të imëta, ka rrezik që njohja reciproke të prolongohet. Kështu ka deklaruar në “RTK Prime”, njohësi i çështjeve politike, Valon Murtezaj.
Sipas tij, edhe ndërkombëtarët janë të interesuar për arritjen e një zgjidhjeje përfundimtare.
Ndërkaq propozimi franko-gjerman, që nuk është konfirmuar nga sponzorizuesit, sipas Murtezajt, duhet të merret seriozisht, edhe pse në këtë proces ai kërkon transparencë të plotë.
“Fjala kryesore që mungon është transparenca, pasi qeveria nuk ka asnjë deklaratë të precizuar, ndonëse një dozë e diskrecionit mund ta ketë, por jo të fshehë procesin e dialogut”, deklaroi Murtezaj, sipas të cilit, opinionit nuk i nevojitet qasje “ gjysmë të fshehtë” .
E lidhur me kohën e zgjidhjes së çështjes mes Kosovës e Serbisë, ndërsa Lajçak thotë që çështja duhet zgjidhur në një mandat që nuk ka zgjedhje, Murtezaj vuri në pah se këto janë orientime kohore, ku secili orientim ka arsyen e vet, por qëllimi është arritja e marrëveshjes me njohje në qendër.
“Njohja në qendër në arritjen e marrëveshjes, gjithsesi, por do të ishte gabim nëse merren me qasje hipotetike, ndaj të shikohet në formën e kundërt, Kosova si shtet i pavarur, integriteti territorial e të jetë shtet funksional, të mbrohet interesi nacional i Kosovës, si shtet i barabartë për të gjithë”, theksoi në fund Murtezaj në “RTK Prime”.
Ndërkaq Vjollca Hajdari, politikologe, lidhur me vizitën e emisarit amerikan, Gabriel Escobar, dhe emisarët tjerë në Kosovë, thotë se ky intensifikim synon përpjekjet për një zgjidhje të përhershme. Ajo tha se BE para luftës në Ukrainë ishte letargjik ndaj Ballkanit Perëndimor, ndërsa tani është shumë më aktiv. Ajo në këtë sfond përmendi edhe liderët kryesorë të BE-së, Sholz e Macron, të cilët kanë dërguar emisarët e tyre dhe këshilltarë personalë për të intensifikuar dialogun Kosovë-Serbi.
Ajo solli në kujtesë edhe vizitën e përfaqësuesit e Luginës së Preshevës në SHBA, si përpjekje tjetër për të përmbyllur problemin ndërmjet dy vendeve.
Ndryshe, sot në Kosovë ka qëndruar emisari special i SHBA-së për dialogun Kosovë - Serbi, Gabriel Escobar, i cili është takuar me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, por edhe me liderët opozitarë. Kjo vizitë e amerikanit Escobar është e dyta brenda disa javësh në Kosovë, në përpjekje për të gjetur zgjidhje mes dy vendeve. Ditëve të fundit janë shtuar përpjekjet edhe nga liderët evropianë, derisa është dhënë edhe një propozim “franko-gjerman” me të cilin përmendet edhe modeli i të dy Gjermanive.























