Bislimi takon Hovenier: Kosova mbetet palë aktive në dialog
E.Hoti/RTKlive
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey M. Hovenier.
Siç bën të ditur Qeveria, në takim u riafirmua partneriteti i ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gjithashtu në njoftim thuhet se u diskutua mbi procesin e dialogut të fasilituar nga BE dhe rrugën përpara, si vijimësi nga vizita konstruktive e zëvendës Ndihmës Sekretarit të Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, njëherësh i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Bislimi në këtë takim ka shprehur gatishmërinë e Kosovës për marrëveshje me Serbinë për normalizim raportesh e që në qendër ka njohjen reciproke.
“Kosova vazhdon të mbetet palë aktive, me ide në proces, konstruktive, me vullnetin, gatishmërinë dhe përkushtimin për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme, për normalizim të plotë të marrëdhënieve, me njohjen reciproke në qendë”, thuhet në njoftimin e zyrës për media të ekzekutivit.
“Kosova e mirëpret gjithmonë interesimin dhe angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Me Shtetet e Bashkuara të Amerikës jemi aleatë në vlera dhe partnerë në qëllime”, thuhet tutje në njoftim.























