Mustafa: E domosdoshme që procesi të përmbyllet me njohje reciproke
BKT
Lajme

Mustafa: E domosdoshme që procesi të përmbyllet me njohje reciproke

E.Hoti/RTKlive

(E plotësuar) Ish-kryeministri i Kosovës njëherit ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, në një intervistë për magazinën informative “Lajmet e Fundit” në RTK, tha se është me rëndësi që procesi i dialogut të përfundojë me njohjen reciproke, Kosovë - Serbi.

“Unë mendoj se dialogu duhet të shkojë drejtë fundit, se a do të shkojë a jo mbetet të shihet, sepse nuk kam qasje në atë që po ndodhë. Këto informata nuk i ka askush, për arsye se edhe presidentja edhe kryeministri thanë se rreth kësaj nuk ka asgjë të vërtetë prej kornizave gjermane dhe franceze, por më vonë doli Vuçiqi dhe tha se po, ka një plan e pastaj doli se po, ka diçka, por nuk është ajo që po flitet në opinion”, tha ai.

Mustafa tha se duhet të bëhet përpjekje që të përmbyllet ky proces. “Me sa po duket prej këtij dokumenti gjermano – francez, procesi nuk përmbyllet tërësisht. Është me rëndësi që të punohet, sepse është e domosdoshme që procesi të përmbyllet me njohje reciproke", ka thënë ai.

Ish-kreu i LDK-së dhe ish-kryeministri, Isa Mustafa tha se deklaratat që po dëgjohen nga përfaqësuesit ndërkombëtarë se njohja duhet të presë pak, derisa të zgjidhen disa tema tjera, do të thotë të arrihet një normalizim i plotë i marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë.

"Të njihet Kosova nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që s'e kanë njohur dhe që Kosova të anëtarësohet në OKB, edhe pse kjo është mjaftë diskutabile, sepse jashtë kësaj marrëveshjeje është tani Rusia, me të drejtë të vetos”,  tha Mustafa.

Sipas tij, është me rëndësi që Kosova të ketë afër partnerë. Ai thotë se punët nuk bëhen pa ta. Mustafa edhe njëherë potencoi rëndësinë e njohjes reciproke.“Duhet të insistohet në reciprocitet dhe kjo duhet të jetë në qendër, në mënyrë që të përmbyllet procesi me Serbinë”, tha tutje ai.

Mustafa: Çështja e liberalizimit të vizave po lidhet me dialogun

Çështja e liberalizimit të vizave nuk do të lidhet me presidencën çeke, por me dialogun, tha, ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në një intervistë për magazinën informative “Lajmet e Fundit” në RTK.

“Ashtu si po shkojnë gjërat unë mendoj që kjo çështje nuk do të përfundojë shpejtë. Nuk do të lidhet me presidencën çeke, por do të lidhet me dialogun. Fakti që tani po i vënë disa kushte që nuk i ka pritur askush, fletë se disa shtete të veçanta nga BE-ja nuk dëshirojnë t’ia liberalizojnë Kosovës vizat, në qoftë se Kosova nuk e bënë një hap të rëndësishëm rreth dialogut dhe që pastaj liberalizimi i vizave të jetë një lloj shpërblimi për arritjen e marrëveshjes”, tha ai.

Sipas tij, marrëveshja nuk do të jetë gjithmonë më e mira. “Do të thonë tash Kosova e bëri një hap dhe ne po iu ndihmojmë me liberalizimin e vizave. Kjo për ne është e papranueshme", tha ai. 

 Tutje Mustafa deklaroi se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për viza, qysh në fillim të vitit 2018. "Ne i kemi pasur të përmbushura edhe në vitin 2016, vetëm se është dashur të ratifikohet marrëveshja me Malin e Zi dhe për dy muaj unë kam pasur garancione që do të merrnim liberalizimin e vizave”, tha Mustafa.

Mustafa: Afatet për targa të lihen anash, nuk e zgjidhin problemin e Kosovës

Ish-kryeministri i Kosovës njëherit ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, në magazinën informative “Lajmet e Fundit” në RTK, tha se është me rëndësi që së pari të arrihet një marrëveshje përfundimtare, sepse çështja e targave pastaj do të bëhej pjesë e asaj marrëveshje.

“Këtu problemi është që thuhet publikisht se nuk janë më shumë se tre katër serbë që e kanë zbatuar marrveshjen për targat. Dhe shtrohet pyetja atëherë se çfarë do të bëjë Qeveria jonë në këtë aspekt. Unë mendoj që shumë më e rëndësishme është që tani të punohet në marrëveshjen përfundimtare dhe të lihen anash këto afatet për targa.Targat nuk e zgjidhin problemin e Kosovës dhe Serbisë”, tha ai.

Sipas tij, problemet e Kosovës me Serbinë i zgjidhë një marrëveshje përfundimtare.

“Nëse ne arrijmë ta bëjmë një marrëveshje përfundimtare, atëherë targat bëhen pjesë e kësaj marrëveshje, sepse është një element i një procedure e cila ka mbet gjatë e pazgjidhur. Qeveria tani duhet të riorientohet nga këto çështjet e veçanta teknike, në çështje të substancës që është marrëveshja përfundimtare", tha ai duke shtuar se targat duhet t’i nënshtrohen afatit të marrëveshjes.

" Edhe targat duhet t’i nënshtrohen afatit të marrëveshjes, e kurrsesi të futemi në disa procese siç ndodhën muaj më parë, sepse mund të na krijojnë probleme në stabilitet dhe tensione në terren”, tha Musafa.

Mustafa: Dokumenti franko-gjerman s`duhet të pranohet nëse nuk e ka njohjen

Ish-kryeministri i Kosovës dhe ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se drafti i marrëveshjes për Asociacionin, i publikuar në medie është i përafërt më marrëveshjen e nënshkruar në vitin 2013 dhe me dokumentin e vitit 2015.

Në një intervistë për magazinën informative “Lajmet e fundit” në RTK, ish-kreu i qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa, thotë se Kosova nuk bën të arrijë asnjë marrëveshje pa garancitë dhe pjesëmarrjen e SHBA-ve në dialog.

Ai tha se dokumenti franko-gjerman nuk do të pranohet nëse nuk e ka njohjen reciproke në qendër.

“Nuk besoj se problemi do të zgjidhet nëse SHBA janë vetëm mbështetëse të propozimit të kësaj nisme, pa qenë pjesëmarrëse e drejtpërdrejtë. Kështu kam përshtypjen edhe nga përvoja ime, sepse vendet e BE-së i shohin si lehtë problemet tona, ndërsa SHBA-të i shohin krejtësisht ndryshe. Unë e respektoj deklaratën e zotit Escobar edhe angazhimin e tij, mirëpo mendoj që institucionet e Kosovës mund të bëjnë punë edhe me përfaqësuesin e SHBA-ve Escobar, edhe me të tjerët, me kusht që ata të zbatojnë atë që ka thënë presidenti Biden”, ka thënë Mustafa.

Tutje, ish-kreu i LDK-së dhe ish-kryeministri, Isa Mustafa, thotë se nëse nuk bëhet njohja reciproke, atëherë duhet të llogarisim se ne do të vijmë dy apo tri herë në tavolinë për të dialoguar dhe për të bërë kompromise dhe çdo ulje në tavolinë sipas tij nënkupton bërje kompromisesh, do të thotë kërkohen kompromise nga Kosova.

“Shtrohet pyetja, nëse ne bëjmë disa kompromise për të arritur deri te kjo marrëveshje, prapë për njohjen reciproke do të kërkohet një kompromis. Pra, çka duhet të japim ne për kompromis nga shtetësia jonë, nga të drejtat tona, që ajo të arrihet dhe, në këtë aspekt, mendoj se Qeveria duhet të punojë shumë. Mendoj se nuk duhet të pranohet ky dokument, nëse nuk duket se ku është njohja”, ka thënë Mustafa, për RTK.

 


MË SHUME NGA Lajme