Rashiti: Të shtyhet afati për targat në këmbim të Kartonit të Gjelbër|Video
BKT
Foto: RTKlive
Lajme

Rashiti: Të shtyhet afati për targat në këmbim të Kartonit të Gjelbër|Video

Valmira Saraçi Sahatçiu. RTKlive

Naim Rashiti, drejtor i Grupit të Ballkanit për Politika në Kosovë ka thënë në emisionin “RTK Prime” se Kosova mund ta bëjë një plan të ri sa i përket çështjes së targave, të komunikojë me BE-në, por me kërkesën që Kosova të jetë anëtare e Kartonit të Gjelbër.

“Duhet të ndërtohen metoda të reja të implementimit të këtyre tabelave, por çka është më e rëndësishme duhet ta vendosim në një kontekst më të gjerë. Për shembull të ketë një plan të ri me SHBA dhe BE. Kosova ta shtyjë për një afat çështjen e tabelave e të kërkojë anëtarësimin në Kartonin e Gjelbër”.

Ai tha se ka disa probleme me Kartonin  e Gjelbër që edhe vetë Kosova duhet të implementojë, por megjithatë sipas tij ky është një problem politik, aty ku nuk është e sigurt vendimmarrja dhe BE-ja mund ta bëjë këtë, tha ai.

“Pastaj të kërkojmë të tjerë mekanizma, të kërkojmë implementimin e IBM-së pas kësaj, sepse është elementi kryesor që do t’i rregullonte marrëdhëniet ndërkufitare mes dy vendeve”, tha tutje Rashiti.

Ndërkohë diskutimet e fundit për Asociacionin, Rashiti i ka quajtur manovra për ta provokuar debatin në pikun e diskutimit, dhe këto tema sipas tij janë të kota.

Ai tha se dokumenti ka dalë nga një organizatë në Prishtinë, prandaj tha ai më e mira do të ishte që qeveria me ekspert të dalë me ide e t’i mbyllë derën këtyre organizatave që siç tha ai shpesh janë pa punë në Prishtinë,  e gjenerojnë gjëra të tilla.

Por, gjitha këto zhvillimet e fundit sipas Rashitit e kanë lënë pa u trajtuar një çështje shumë të rëndësishme e që është energjetika.

“Qeveria ka arritur që me sukses ta mbyllë çështjen e energjetikës  dhe ka bërë që Serbia të dorëzojë gjitha të dhënat për konsumatorët e rrymës në veri. Kjo është një arritje e madhe, përmbyllë gjithë problemin e energjetikës në veri. Natyrisht që implementimi do të marr pak kohë, por është një sukses i madh”, tha ai.


MË SHUME NGA Lajme