Koci: KESCO ka 45 milionë euro borxh ndaj KEK-ut
A.Bela / RTKlive
Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Republikës së Kosovës ka filluar intervistimin e kryeshefit financiar në KESCO, Ermal Koci.
Ai bëri me dije se kriza energjetike, filloi nga gushti 2021. “Sektori energjetik është përballur me krizë, sinjalet i kemi parë që nga gushti i viti 2021, pas pandemisë që ndikoi në gjithë sektorët dhe më pas që vazhdoi me agresionin rus ndaj Ukrainës. Viti 2021, periudha e muajve nëntor dhe dhjetor kanë qenë shumë sfiduese”, tha Koci. Për momentin, sipas tij KESCO ka borxhe ndaj KEK-ut, rreth 45 milionë euro. Për këto borxhe, Koci tha se ka kërkuar të ketë një mirëkuptim për të pasur një riprogramim të borxheve që i ka KESCO ndaj KEK-ut.
Shefi financiar në KESCO, ka bërë me dije para komisionit hetimor se në fund të vitit 2021, Kosova është përballur me situatë të vështirë energjetike dhe për këtë qeveria e Kosovës ka plotësuar vendimin për mbështetje ekomomike që ka qenë për pandeminë, duke shtuar si pikë mbështetje edhe ndaj sektorit energjetik, raporton RTKlive.
“Është vendosur që mjetet t’i kalojnë KEK-ut dhe ai të e ndihmojë sektorin energjetik në këtë vlerë. Marrëveshje është bërë nga Ministria e Ekonomisë për këto fonde, ndërsa nga ana jonë nuk ka qenë e nevojshme që të nënshkruajmë atë. Ne në fillim nuk kemi pranuar ta bëjmë këtë marrëveshje”, tha ai , raporton RTKlive. Sipas tij në fillim KESCO ka refuzuar të nënshkruajë atë, por pastaj e ka nënshkruar për shkak se çmimet energjisë ndryshonin çdo ditë.
Koci bëri me dije se KEK ka qenë ndërmarrja që në fillim ka importuar dhe blerë energji. “KEK në fillim ka bërë import të energjisë dhe jo KESCO. Fondet e qeverisë kanë shkuar direkt tek KEK-u. Ne kemi ofruar asistencë teknike për mënyrën se si blihet energjia, ne kemi 50 tregtarë që kemi marrëveshje për të blerë energji”, tha ai.
Anëtari i komisionit hetimor, Ferat Shala theksoi se rryma është blerë më shtrenjtë, në kohën e pikut, kurse në bursat ndërkombëtare ka qenë më e lirë. Për këtë kryeshefi financiar në KESCO, Ermal Koci, theksoi se kjo informatë nuk është e saktë.























