PSD me aksion në Kuvend
V. Thaçi /RTKlive
Partia Socialdemokrate ka zhvilluar sot një aktivitet simbolik te hyrja e ndërtesës së Kuvendit, ku kanë vendosur një mbishkrim me të cilin e quanin jodemokratik këtë institucion.
Nol Nushi, nga kjo parti ka kritikuar qasjen e Kuvendit për mosdiskutim në seancë të Projektligjit për faljen e gjobave të shqiptuara gjatë pandemisë Covid19.
Ai tha se Kuvendi i Kosovës është dashtë me qenë i hapur për iniciativat qytetare. Sipas tij Kuvendi praktikisht është mbyllur dhe është shndërruar në një bunker.
“Partia Social Demokrate në bashkëpunim me qytetarët në vitin e kaluar në periudhën Maj-Qershor ka iniciuar një peticion për faljen e gjobave të pandemisë duke mbledhur më shumë se 11mijë nënshkrime të qytetarëve për faljen e këtyre gjobave”, tha Nushi.
Sipas tij kjo nismë e tillë është vetëm hera e parë në historinë demokratike të Kosovës që një Ligj propozohet nga qytetarët, po siç thonë ata nisma u zvarrit një vit e gjysmë, por nuk arritën ta ndalin, tash së fundi kaloi të gjitha procedurat burokratike, por jo edhe lejimin e pjesëmarrjes në seancë ku diskutohet dhe votohet kjo temë.
Po ashtu Nushi kritikoi edhe deputetët e opozitës që sipas tyre ata nuk kanë reaguar për këtë shkelje, sepse kjo është shkelje ndaj demokracisë.
“Është për të ardhur keq që inatet politike e shtyjnë këtë Kryesi të Kuvendit dhe kryeparlamentarin Kojnufca që ta refuzojë një iniciativë e cila nuk është vetëm e partisë por është edhe e 11 mijë qytetarëve të nënshkruara më të dhënat e tyre dhe me vullnet të plotë që ato gjoba të pandemisë të falen”, shtoi ai.
Në fund ai u bëri thirrje deputetëve që të reflektojnë dhe ta votojnë këtë projektligj.























