Analistët kritikojnë opozitën për mospjesëmarrje në takim me Kryeministrin
BKT
Lajme

Analistët kritikojnë opozitën për mospjesëmarrje në takim me Kryeministrin

Bardha Shkreli /Radio Kosova

Mospjesëmarrja e dy liderëve të opozitës, LDK-së dhe PDK-së, në takimin e ftuar nga kryeministri Albin Kurti, nuk shihet si veprim i duhur në situatën aktuale politike në vend nga njohësit e rrethanave politike në vend. Ata thonë se opozita duhet të reflektojë kur bëhet fjalë për një çështje kaq të rëndësishme, në fazën në të cilën ndodhet procesi i dialogut Kosovë-Serbi.

Refuzimi i pjesëmarrjes së dy partive opozitare, PDK dhe LDK, në takimin e ftuar nga kreu i ekzekutivit, Albin Kurti, dhe kërkesa kategorike e tyre që tema e dialogut të diskutohet vetëm në Kuvend, nuk po konsiderohen si të arsyeshme nga njohësit e rrethanave politike në vend. Ata theksojnë se qëndrimet aktuale të opozitës, nuk janë të duhura në këtë moment. Në këtë rast, opozita nuk mund të sillet njëjtë siç ishte sjell dikur partia në pushtet, Vetëvendosje. Të paktën kështu e sheh analisti Arben Fetoshi situatën.

Nuk është koha e përgjigjeve të njëjta kundrejt veprimeve të Albin Kurtit si opozitar për shkak të situatës dhe rëndësisë që ka faza në të cilën ndodhet procesi i dialogut, aq më tepër kur të dy partitë opozitare në vazhdimësi kanë thënë se do ta mbështesin dialogun i cili duhet të përmbyllet me njohjen reciproke. Dhe në këtë kuptim, edhe LDK edhe PDK është dashur t”i përgjigjen pozitivisht z. Kurti për takimin, për shkak se qëllimi i krejt kësaj është arritja e një konsensusi dhe diskutimi i disa çështjeve ndoshta më të ndjeshme sesa ato që mund të përfshihen brenda  raportimit të rregullt të seancave të Kuvendit të Kosovës”, tha Fetoshi.

Edhe Artan Muhaxhiri, njohës i rrethanave politike në vend, thotë se opozita duhet të reflektojë.

 “Do të ishte mirë që kryeministri Kurti dhe opozita të takoheshin shumë më shpesh sepse është krejtësisht e çuditshme, meqë në njërën anë kemi presione kaq të mëdha të bashkësisë ndërkombëtare për sa i përket dialogut, kurse në anën tjetër ka edhe mospajtime në spektrin politik kosovar ndërmjet pozitës dhe opozitës”, tha Muhaxhiri.

Ftesa e kryeministrit Kurti për liderët e opozitës erdhi të mërkurën, një ditë pas takimit që pati me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.


MË SHUME NGA Lajme