Të dyshuarit për vrasjen e 18 shqiptarëve, i caktohet një muaj paraburgim
BKT
Foto: Prokuroria
Lajme

Të dyshuarit për vrasjen e 18 shqiptarëve, i caktohet një muaj paraburgim

M.Shefkiu/RTKLive

Me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masa e paraburgimit  të pandehurit E.B, ish-polic i viteve ‘90, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Krime lufte kundër popullsisë civile shqiptare në rajonin e Istogut.

Sipas njoftimit të Gjykatës, kjo vepër sanksionohet me nenin 142 të LP-RSFJ-së, ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale. E gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit, e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit  i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji.

“Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale, mënyra dhe rrethanat në të cilën dyshohet se është kryer vepra penale  dhe me lënien në liri, ekziston rreziku i ikjes së tij, që do të pengonte rrjedhë  e procedurës penale”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Ndryshe sipas Prokurorisë Speciale, i pandehuri E.B, gjatë periudhës së luftës në Kosovë, dyshohet se në bashkëkryerje me personat ende të pa identifikuar, në cilësinë e policit në Stacionin Policor në Gjurakovc, ka shkelur rëndë rregullat e së drejtës ndërkombëtare.

“Me datë 08.05.1999 në fshatin Saradranë, ai e kishin sulmuar konvojin e popullsisë civile e cila po lëvizte nga komuna e Istogut në drejtim të Komunës së Klinës dhe kur kolona arrijnë në fshatin Staradranë, ndalen nga forcat policore dhe ushtarake serbe ku bënte pjesë edhe i dyshuari, ashtu që fillimisht i plaçkitin civilët, i ndajnë burrat nga grat e më pastaj i sulmojnë duke i vrarë rreth 18 civilë të nacionalitetit shqiptarë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.  

Sipas të njëjtit njoftim, ndaj të pandehurit, ekziston dyshimi i bazuar se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale Krim i luftës kundër popullsisë civile. Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.


MË SHUME NGA Lajme